Forcat qeveritare siriane dhe paramilitarët besnikë të regjimit të presidentit Bashar al-Assad po vrasin dhe po abuzojnë seksualisht fëmijë, dhe po i përdorin ata si mburoja njerëzore, ka bërë të ditur Organizata e Kombeve të Bashkuara, në mes të frikës se konflikti po intensifikohet.
Emisari i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe për Sirinë, Kofi Annan, është shprehur se është “shumë i brengosur” për përshkallëzimin e luftimeve në Siri, duke e përmendur bombardimin me artileri të zonave kryengritëse në provincën qendrore të Homsit, dhe raportimet për sulme me mortaja, helikopterë dhe tanke në qytetin e Hafës dhe fshatrat e tij fqinje në provincën e Latakisë, në bregun mesdhetar.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, është shprehur e brengosur nga raportimet se regjimi represiv sirian “mund të jetë duke organizuar një masakër tjetër” në Latakia, ku monitoruesit e OKB-së nuk janë lejuar të shkojnë.
Raporti i përvitshëm për fëmijët dhe konfliktin e armatosur gjatë 2011-ës, i sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka përfshirë forcat e qeverisë siriane dhe paramilitarët besnikë të regjimit për herë të parë në një listë të 52 qeverive dhe grupeve të armatosura që rekrutojnë, vrasin apo sulmojnë seksualisht fëmijë në konfliktet e armatosura.
“Në pothuajse të gjitha rastet e shënuara, fëmijët kanë qenë në mesin e viktimave të operacioneve ushtarake të forcave qeveritare, përfshirë forcat e armatosura siriane, forcat e inteligjencës dhe paramilitarët në konfliktin e tyre aktual me opozitën, përfshirë Armatën e Lirë Siriane”, thuhet në raportin e përvitshëm të OKB-së.
Raporti ka cituar një dëshmitar të një sulmi në fshatin Ayn l’Arouz, në provincën Idlib, më 9 mars 2012, në të cilin dhjetëra djem dhe vajza, të moshave ndërmjet tetë dhe 13-vjeçare, janë marrë me forcë nga shtëpitë e tyre dhe “janë përdorur nga ushtarët dhe paramilitarët si mburoja njerëzore, duke i vënë ata para xhamave të autobusëve që bartnin personelin ushtarak gjatë mësymjes në fshat”.
OKB-ja ka thënë se ka mbledhur qindra dëshmi nga fëmijët të cilët janë torturuar gjatë mbajtjes nga forcat qeveritare, si dhe nga ish-pjesëtarët e ushtrisë siriane që janë detyruar të shohin apo të kryejnë akte të torturës.
Shumica e fëmijëve viktima të torturës kanë thënë se janë rrahur, u janë lidhur sytë, janë vënë në pozita nënshtruese, janë rrahur me kabllo të rëndë elektrikë, janë djegur me cigare, ndërsa njëri ka raportuar edhe t’i jetë nënshtruar shokut elektrik në gjenitale, sipas raportit. Një dëshmitar ka raportuar të ketë parë një 15-vjeçar që ka vdekur pas rrahjeve.
“Ne jemi vërtet shumë të tronditur. Vrasjet dhe gjymtimet e fëmijëve gjatë ndërluftimeve janë diçka që kemi parë në shumë konflikte, por kjo torturë e fëmijëve në mbajtje është diçka mjaft e pazakontë, që ne nuk e shohim në vendet e tjera”, ka thënë përfaqësuesja speciale e OKB-së për fëmijët dhe konfliktet e armatosura, Radhika Coomaraswamy. (The Guardian)