Kosova mori Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave

Sot, Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme, Cecilia Malmström, ia dorëzoi Qeverisë së Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Ky dokument paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash të cilat duhet t’i plotësojë Kosova.

Këto reforma kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migrimin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të drejtat themelore. Përfundimet e dialogut për viza do të varen nga progresi i Qeverisë së Kosovës në plotësimin e këtyre kërkesave.

”Unë jam e kënaqur në veçanti për faktin se pata rastin ta dorëzoj këtë dokument, të pritur me padurim nga Qeverinë e Kosovës. Ceremonia e sotme e dorëzim-pranimit të këtij dokumenti, i shpie qytetarët e Kosovës një hap më afër udhëtimit pa viza. Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave përfshin reformat të cilat do të duhet t’i implementojë Qeveria e Kosovës, për të krijuar një mjedis të sigurt për të udhëtuar pa viza. Se a do të bëhet realitet udhëtimi pa viza dhe se kur do të bëhet varet nga angazhimi i qeverisë për implementimin e këtyre reformave të vështira në terren,” tha Cecilia Malmström.

Udhërrëfyesi për Kosoëvn përmban 101 kritere, dyfish më shumë nga ato të vendeve të rajonit. Zyrtarët e BE-së kanë sqaruar se kjo është bërë në mënyrë që të mos përsëriten gabimet që janë bërë me shtetet e rajonit. Përfaqësuesit e delegacionit kosovarë janë shprehur optimist se Qeveria e Kosovës është e përgatitur dhe se do ti plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara.

Ministrja për integrim Vlora Çitaku ka thënë se marrja e udhërrëfyesit është fryt i punës së përgjithshme të institucioneve të Kosovës, por nuk ka përmendur ndonjë afat se për sa kohë do të mund të arrihet deri të liberalizimi i vizave.

Në margjinat e ceremonisë së dorëzim-pranimit, Komisionerja Malmström u takua me Ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, zëvendësministrin e Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, Kryetarin e komunës së Pejës, Ali Berisha, Kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, Kryetarin e Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq dhe Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Udhërrëfyesi për vizat ishte diskutuar së fundmi edhe në nismën e Dialogut të Strukturuar për Sundim të Ligjit me Kosovën nga ana e Komisionerit për Zgjerim, Stefan Füle dhe Komisionerja Malmström me përfaqësuesit kosovarë më 30 maj në Bruksel.

Sot, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës, po ashtu, mbajtën një takim të nivelit të lartë, për të diskutuar për hapat e ardhshëm të dialogut për vizat me Kosovën. Tani nga Qeveria pritet që të paraqesë një përmbledhje gjithëpërfshirëse të legjislacionit dhe reformave të fundit, në fushat të cilat i mbulon udhërrëfyesi i vizave.

Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbikëqyrë përparimin nga ana e Kosovës në implementimin e detyrave që dalin nga udhërrëfyesi, përfshirë edhe hartimin e raporteve të rregullta./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat