(E plotësuar) Drejtori i klinikës kirurgjike në Prishtinë, Mehmet Maxhuni, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se Dino Asanaj, drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nuk i mbijetoi plagët e sulmit me thikë, me gjithë përpjekjet e mëdha të personelit mjekësor.
“I ndjeri Asanaj, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka arritur rreth orës 13:00, dhe personeli mjekësor ka intervenuar shumë shpejt. Ka pasur dy therje, një në fyt dhe një në gjoks, që i ka prekur mushkëritë dhe zemrën, dhe disa të tjera që nuk kanë qenë vdekjeprurëse. Me gjithë përpjekjet, i ndjeri ka ndërruar jetë rrethe orës 14:20”, shpjegoi Maxhuni.
Më herët, Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se Dino Asanaj, ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga shoferi i tij.
Zëdhënësi i Policisë, Brahim Sadriu, nuk ka dashur të komentojë shumë për rastin, por tha se lidhur më këtë incident ka marrë informacion nga linja telefonike ndihmëse e policisë.
Motivet e këtij sulmi, Policia e Kosovë e nuk i ka mësuar, por siç thonë ata, hetimet janë duke vazhduar, dhe shumë pista janë të hapura.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partitë politike kanë dënuar ashpër aktin kriminal të vrasjes së kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj.
Qeveria kërkon nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryesit e kësaj vrasjeje të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar./rel/
------
Pas plagëve të marra nga therja me thikë në fyt dhe afër zemrës, shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, ka ndërruar jetë gjatë ndërhyrjes së mjekëve, në QKUK.
Dino Asanaj u ther sot në zyrën e tij private në Fshatin ndërkombëtare Amerikan.
Policia ka konfirmuar vdekjen e tij dhe nuk ka bërë të ditur motivet e vrasjes as identitetin e sulmuesit, por ka njoftuar se është duke i zhvilluar hetimet.