Egjipt: Morsi premton të jetë lider i “të gjithë egjiptianëve”

Mohamed Morsi, islamiku i parë që zgjidhet president i Egjiptit, tha se do të jetë një lider për tërë vendin.

“Unë do të jem president për të gjithë egjiptianët”, ka thënë Morsi për televizionin kombëtar.

“Ju afrohem të gjithë juve në këtë ditë, në të cilën jemi dëshmitarë, kur unë falë Zotit dhe vullnetit tuaj, jam bërë president i gjithë egjiptianëve. Unë do t’i trajtoj të gjithë egjiptianët njëjtë dhe do t’i respektojë të gjithë njësoj”, tha Morsi.

Ai tha gjithashtu se “revolucioni vazhdon derisa nuk përmbushen të gjitha kërkesat”, dhe premtoi se Egjipti do të respektojë të gjitha traktatet ndërkombëtare.

“Do t’i respektojmë marrëveshjet dhe ligjin ndërkombëtar sikurse edhe përkushtimet egjiptiane dhe traktatet me pjesën tjetër të botës. Do të punojmë për të ngritur parimet e egjiptianëve dhe identitetin qytetar si dhe vlerat humane, në veçanti lirinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, respektimin e grave dhe të drejtave të familjes e fëmijëve dhe do të shmangim çdo diskriminim”, tha Morsi.

Komisioni Zgjedhor tha se Morsi ka fituar 51.7 për qind të votave kundrejt rivalit, ish kryeministrit në kohën e Mubarakut, Ahmed Shafik, i cili mori 48.3 për qind. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 51.8 për qind.

Morsi, një profesor i inxhinierisë, u bë presidenti i parë civil në historinë e Egjiptit. Të katër presidentët e mëhershëm që nga grusht-shteti i vitit 1952 kanë qenë gjeneralë armate.

Tash, Morsi duhet të gjejë një rrugë për të bashkuar vendin pas zgjedhjeve që shkaktuan ndasi dhe të punojë me gjeneralët ushtarakë që e kanë udhëhequr Egjiptin që nga rrëzimi i Mubarakut, 16 muaj më parë.

Para shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, establishmenti ushtarak mori pushtet gjithëpërfshirës pasi që gjykata më e lartë e Egjiptit shpërndau parlamentin e udhëhequr nga islamikët.

Gjeneralët morën kompetencat e parlamentit për të miratuar ligje dhe për të emëruar anëtarë të një komisioni që do të hartojë kushtetutën e parë të vendit pas regjimit të Mubarakut.

Nuk është caktuar ndonjë datë për zgjedhjet e reja parlamentare.

Ushtria po ashtu ka vendosur se presidenti i vendit nuk ka pushtet që të largojë anëtarët nga këshilli ushtarak dhe të emërojë të tjerë.

Ndërkohë, liderët ndërkombëtarë po reagojnë pozitivisht ndaj lajmit për zgjedhjen e Morsit.

Izraeli tha se “e vlerëson procesin demokratik në Egjipt dhe respekton rezultatin e tij”.

Zyra e kryeministrit Benjamin Natanjahu në një deklaratë tha se Izraeli “pret që të vazhdojë bashkëpunimi me administratën e Egjiptit në bazë të marrëveshjes së paqes të arritur mes dy vendeve.”

Sekretari i Jashtëm britanik Uilliam Hejg e uroi Morsin për fitoren e tij, duke e quajtur “një moment historik për Egjipitin” dhe i bëri thirrje presidentit të zgjedhur që të “ndërtojë ura me shoqërinë e Egjiptit dhe të respektojë të drejtat e njeriut.”

Ministria e Jashtme e Iranit i uroi egjiptianët për fitoren e kandidatit islamik dhe tha se vendi gjendet në fazën finale të “zgjimit islamik”./rel/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat