Prokurorët e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës kanë kërkuar që Ramush Haradinaj, ish kryeministër i Kosovës, të dënohet së paku me 20 vjet burgim, nën dyshimet për krime lufte.
Të njëjtin dënim, prokurorët kanë kërkuar edhe për dy bashkëluftëtarët e zotri Haradinaj, Idriz Balajn dhe Lah Brahimajn.
"Dënimi më i vogël që duhet shqiptuar është 20 vjet burgim”, ka thënë prokurori Pol Roxhers, njofton agjencia e lajmeve AFP.
Seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj mbahen sot dhe nesër.
Haradinaj është kthyer në Tribunalin Ndërkombëtar për krime lufte në ish Jugosllavi, më shumë se një muaj, pasi që Tribunali vendosi ta lirojë përkohësisht atë.
Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, por Tribunali vendosi për një rigjykim të pjesshëm, i cili filloi në korrik të vitit 2010.
Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj akuzohen për “vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës”./bs/