Deputeti i PDK-së Latif Gashi-Lata dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, janë përleshur fizikisht para pak çastesh tek dalja e Kuvendit të Kosovës.
Ky sulm ka ardhur derisa deputeti Selimi ishte duke dhënë një intervistë për media ku ka folur për SHIK-un, ndërsa deputeti Gashi kishte kërkuar nga ai të mos flasë për këtë organizatë, me ç’rast ka reaguar Selimi, duke i thënë atij se unë flas për këtë çështje.
Pas përleshjes fizike në mes tyre, ka ndërhyrë policia dhe i ka ndarë ata, ndërsa pas pak minutash ka ndodhur një përleshje tjetër në mes të deputetit të Vetëvendosjes Florin Krasniqi dhe atij të PDK-së Bekim Haxhiu i njohur me nofkën Kamishi, në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Meqenëse Kamishi është gjakosur në fytyrë, atij i kanë ndihmuar bashkëpunëtorët e tij që të largohet nga Kuvendi, duke e dërguar në drejtim të oborrit të Qeverisë, ndërsa Krasniqi momentalisht ndodhet në hollin e Kuvendit – i cili po ashtu ka pësuar disa goditje gjatë përleshjes me Kamishin.
Në këtë përleshje janë inkuadruar edhe bashkëpunëtorët e deputetëve të Vetëvendosjes dhe atyre të PDK-së, përkatësisht shoferët dhe truprojat e tyre./zeri/