Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se muaji i madhëruar i Ramazanit përfundon ditën e shtunë, më 18 gusht 2012.
Dita e parë e festës së Fitër - Bajramit është të dielën, më 19 gusht 2012.
Manifestimi qendror kushtuar festës së Fitër - Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih” (Xhamia e madhe) në Prishtinë.
Manifestimi fillon në ora 5:05 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jenë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, nga kryeimami, Sabri ef. Bajgora.
Namazi i Fitër – Bajramit falet në ora 6 : 23, Hytben do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava i cili do t’u drejtohet opinionit të gjerë me mesazh për këtë festë.
Me rastin e festës së Fitër – Bajramit, ditën e parë të festës, më 19 gusht 2012, Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë së BI të Kosovës nga ora 9:00-12:00.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Fitër- Bajramit duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutje dhe ibadetet tona.