Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih” (Xhamia e madhe) në Prishtinë, duke shënuar kështu nisjen e festës së Fitër Bajramit për besimtarë myslimanë në Kosovë.
Me rastin e faljes së Festës së Fitër Bajramit, myftiu i Kosovës, mr. Naim Tërrnava iu drejtua me një mesazh të gjithë besimtarëve myslimanë, duke thënë se të gjithë besimtarët myslimanë janë vëllezër, prandaj mes tyre duhet të mbretërojë uniteti, urtësia dhe vendosmëria, transmeton rtk.
Tërrnava, ka thënë se me agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit u tregua respekt për Zotin.
Ai ka theksuar se me daljen nga muaj i Ramazanit të gjithë janë të gëzuar, pasi që kryen me sukses një detyrë ndaj Krijuesit të gjithësisë.
Besimtarët, sipas tij, si asnjëherë më parë, janë të gëzuar se Allahu i mbajti në jetë që ata të kryejnë këtë obligim.
”Jemi të gëzuar se ia dolëm që me bindje të madhe dhe me një përkushtim të madh të kryejmë me sukses edhe këtë obligim. E kemi agjëruar me bindje se Zoti është Një, i pa fillim dhe pa mbarim, Krijuesi i kësaj gjithësie, Krijuesi i çdo gjëje, Krijuesi edhe i vetë njeriut të cilit i takoi mëkëmbësia mbi sipërfaqen e tokës. Allahu xhele-shenuhu thotë: Zoti i juaj është Një, Allahu, nuk ka zot përpos atij që është mëshirëplotë, gjithnjë mëshiron”, ka thënë Tërnava.
Pas faljes së namazit, besimtarët ua uruan njëri-tjetrit Fitër Bajramin, duke uruar mirësi, paqe e dashuri për të gjithë.