Hoxhë Ekrem Avdiu thotë se vetëm këtë javë e ka kuptuar që ka qenë i dyshuar për ndërlidhje me një të burgosur arab në Guantanamo nga trupat amerikane që e mendonin atë si anëtar të Al-Qaedas.
Atë e njohin të gjithë në Mitrovicë. Mban mjekër të gjatë, njerëzit në rrugë i flasin, e përqafojnë, e ndonjëherë edhe e qerasin me çokollatë.
Ekrem Avdiu, imam në xhaminë e lagjes Ilirida (dikur Tavnik) që nga viti 2006, është i njohur edhe për policinë lokale si njeri që bën punë të ndershme, në të mirë të komunitetit.
Nami i tij shkon edhe përtej kufijve të Kosovës. Imam Ekrem Avdiu ka përfunduar shkollimin në Arabinë Saudite në vitin 1997. Është edhe një prej ligjëruesve të rregullt të temave fetare në televizionin Peace TV, që mund të gjendet në pakot kabllore televizive dhe në Youtube. Xhamia që ai e drejton, nga shumëkush në Mitrovicë njihet si “Xhamia e Wahhabëve” .
Në një kabllo të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, të publikuar nga Wikileaks, që duket se i takon fundit të vitit 2005, imam Avdiu përmendet si i dyshuar për rekrutim njerëzish për kryengritje në Çeçeni dhe Irak, si dhe përfshirje në veprimtari ekstremiste islamike në Shqipëri.
Në dokument tregohet se pas bastisjes së një zyre nga trupat amerikane në Kandahar të Afganistanit në vitin 2001, në mesin e 160 aplikacioneve për rekrutim ishte gjetur edhe një numër telefoni.
Dy vjet më vonë, në nëntor 2003, numri i njëjtë ishte gjetur edhe në një bllok shënimesh të imam Ekrem Avdiut, pas arrestimit dhe bastisjes së shtëpisë së tij në Mitrovicë nga KFOR-i.
Ky numër telefoni në Afganistan ka qenë i shënuar në emër të Faha Sultan, i dyshuar si anëtar i Al Qaedas dhe oficer logjistike në Brigadën 55 Arabe të Bin Ladenit që, sipas dokumentit, ndihmonte talebanët. Sultan ishte kapur nga forcat amerikane dhe ishte mbajtur 3 vjet e 26 ditë në Guantanamo, Kubë.
Derisa pi kafenë në një qendër tregtare në Mitrovicë, të mërkurën me 5 shtator, imami kosovar lexon me kujdes se çfarë thuhet për të në dokumentet sekrete të ushtrisë amerikane.
Për një moment, ia krisë gazit.
Thotë se nuk e ka idenë se kush është Faha Sultan dhe as që ka qenë në dijeni për ekzistencën e një dokumenti të tillë.
“Nuk kam lidhje me këto që thuhen, se gjoja unë paskam qenë rekrutues, apo që kam lidhje me persona në Afganistan. Janë shpifje”, thotë imam Avdiu, në bisedë për Gazetën Jeta në Kosovë.
Por, ai shprehet se në nëntor të vitit 2003 ishte arrestuar dhe dërguar në bazën amerikane në Bondsteel, afër Ferizajt.
“Më arrestuan në Prishtinë. Më mbajtën njëzet e katër orë në Bondsteel dhe më morën në pyetje. Në fund më falënderuan dhe më dorëzuan te policia e UNMIK’ut”, thotë ai.
“Pas tri ditësh më liruan, por më akuzuan për armëmbajtje pa leje. Më vonë jam gjykuar dhe kam paguar gjobën. Kaq ishte!”.
Ai hedh poshtë pohimet se ishte rekrutues dhe ekstremist islamik.
Imam Avdiu tregon se në festën e 28 nëntorit 2003, apo siç preferon ta kujtojë - “në ditën e tretë të Festës së Bajramit”, papritur ishte arrestuar nga KFOR-i, afër rrethit në Prishtinë.
“KFOR-i amerikan në Bondsteel më pyeste: ‘Pse ke lidhje me terrorizimin?’. Por unë i pyesja: ‘Me kë, me cilin rrjet, me cilët njerëz?’... Ata nuk më jepnin përgjigje”, tregon imami.
Edhe Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga KFOR-i sqarime në lidhje me këtë rast, por edhe rastet tjera, që e ndërlidhin aktivitetin e misionit ndaj “ekstremizmit islamik” në këto dokumente.
“Misioni i KFOR-it është të kontribuojë për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë popullin e Kosovës. Në mënyrë që të rrisë efektivitetin e operacioneve, KFOR-i monitoron të gjitha aktivitetet që kanë mundësi që potencialisht të kërcënojnë qetësinë dhe ambientin e sigurt”, thotë Uwe Nowitzki, zëdhënës i trupave të KFOR-it.
“Megjithëkëtë, KFOR-i nuk është në pozitë të komentojë çështjet që kanë të bëjnë me operacionet”, tha ai për Gazetën Jeta në Kosovë.
Ndryshe prej tyre, zyrtarë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë tregojnë se asnjëherë nuk kanë pasur arsye ta hetojnë qytetarin Ekrem Avdiun.
“Emri i qytetarit që ju përmendni (v.j Ekrem Avdiu), nuk ka qenë kurrë objekt hetimi nga Policia e Kosovës”, u shpreh Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.
Madje, ai i tha Gazetës Jeta në Kosovë se, në parim, policia nuk flet për emra të veçantë, por në këtë rast imam Avdiu gëzon respekt të madh edhe nga qytetarët.
Ndërkohë, zyrtarë të mbetur të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), nuk deshën të jepnin ndonjë sqarim nëse në vitin 2003, policia e saj ka pasur të bëjë diçka me këtë person.
“UNMIK-u nuk komenton çështjet e sigurisë që ndërlidhen me këtë mision”, tha zëdhënësja Andrea Young.
Nga viti 1998 deri me 2001, imam Avdiu ka qenë i burgosur nga Serbia si akuzuar për “bashkim në veprimtari armiqësore për terrorizëm”./gazetajnk/