Marseille: Vendi më i rrezikshëm për të rinjtë në Evropë

Për ta kuptuar Marsejën duhet marrë autobusin numër 30 në stacionin e metrosë Buganvij. Rruga fillon në terminalin verior të sistemit të metrosë, pesë kilometra larg qendrës së qytetit. Ajo kalon afër autostradave, fabrikave, grumbujve të bërllokut dhe një manastiri të ndërtuar në shekullin X. Qyteti i dytë francez shtrihet për edhe dhjetë kilometra të tjera mbi një varg kreshtash nga guri gëlqeror. Secila prej tyre është e kurorëzuar me një kështjellë të bardhë nën diellin mesdhetar të cilat, derisa autobusi afrohet, shndërrohen në një grup të blloqeve banesore.

Dallime mes zonave të pasura dhe të varfra

Deri në vitet 1960 këtu gjendeshin fshatrat e novelave të Marsel Panjolit në të cilat ndodhnin ngjarjet e vendosura në pjesën e hershme të shekullit të shkuar. Ende mund të shihen disa pjesë të fshatrave të Provansës. Por shumë prej tyre janë zhdukur tashmë për një kohë të gjatë. Bashkudhëtarët e mi drejt La Savinës, vendbanimit më të largët verior, janë një përzierje e afrikanëve të veriut, afrikanëve, aziatikëve dhe romëve. Autobusi kalon nëpër lagjet më të varfra të qytetit më të varfër në Francë. Pothuajse 40 për qind e njerëzve që jetojnë këtu janë nën linjën e varfërisë, krahasuar me 26 për qind në Marsejë në tërësi dhe 15 për qind në nivel shtetëror. Në zonat më të pasura, kryesisht të bardha, në jug të qendrës së qytetit, rreziku nga vdekja para moshës 63-vjeçe është 23 për qind nën mesataren shtetërore. Në veri të Marsejës është 30 për qind më i lartë sesa mesatarja franceze. Nëse je një djalë tinejxher ose një i ri nga veriu i Marsejës, rrezikon të vdesësh shumë më parë sesa në moshën 65 vjeçe.

Masa emergjente për ta parandaluar dhunën

Pesëmbëdhjetë të rinj, shumica prej lagjeve të veriut të qytetit, janë vrarë me armë zjarri gjatë këtij viti në një luftë për fitime të mëdha duke u shitur drogë, kryesish kanabis dhe kokainë, njerëzve nga pjesët më të pasura të qytetit dhe nga periferitë. Në fakt, ka pasur pothuajse po aq vrasje të të rinjve në nëntë muajt e parë të vitit 2012 sesa në tërë vitin e kaluar. Në mënyrë proporcionale, Marseja (me 800 mijë banorë) tani ka pothuajse po aq vrasje që kanë të bëjnë me drogën sa edhe Nju Jorku (me 8 milionë banorë). Duke e shqyrtuar çështjen, qeveria franceze ka bërë të ditur se do të marrë masa emergjente këtë muaj për ta parandaluar qytetin, i cili nga muaji janar do të jetë “Kryeqytet kulturor i Evropës”, që ta fitojë titullin e kryeqytetit evropian për vrasje të të rinjve. Në fillim të këtij muaji, Samia Gali, kryetare e qarqeve 15 dhe 16 të Marsejës, të cilat përfshijnë pjesën më të madhe të qarqeve të varfra të veriut, shpërtheu një bombë verbale. Ajo i bëri thirrje qeverisë që të dërgojë trupa për të konfiskuar armët e lira automatike që po vijnë nga Ballkani dhe Afrika Veriore dhe për të ndërprerë tregtinë me drogë e cila, thotë ajo, po bëhet me mosndëshkim.

Thirrja e kryetares Gali për intervenim

 

Gali, e rritur në veri të Marsejës si Zinedin Zidan dhe Erik Kantona, pranon që propozimi i saj ka qenë kryesisht një thirrje për alarm. “Jam lindur e rritur këtu. Unë e di se për çfarë flas”, tha ajo. “Nuk mund të duroj më duke parë fëmijët që i kam njohur që nga lindja e tyre të shpuar me plumba. Nuk mund ta harroj vuajtjen e të dashurës së një viktime të cilin e pa të qëlluar 30 herë. Ka ardhur koha që të ndërpritet kjo masakër”. Thirrja e kryetares Gali për intervenim ushtarak është konsideruar si absurde nga ana e politikanëve lokalë e shtetërorë si nga e majta ashtu edhe nga e djathta. Megjithatë, ajo korri sukses të madh. Brenda disa ditëve, qeveria kishte hartuar një plan veprimi për ta “shpëtuar Marsejën”. /TI/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat