Me një ceremoni, në të cilën merrnin pjesë zyrtarët më të lartë të vendit dhe të Ipeshkvisë së Kosovës, sot në kryeqytet iu vu guri i themelit Xhamisë qendrore në kryeqytet. Në hapësirën midis Postës kryesore dhe Shtëpisë së Shëndetit, në Ulpian, tullat e para i vendosën presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryemyftiu Naim Tërnava, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeatri i Prishtinës Isa Mustafa.
Ceremonisë së fillimit të ndërtimit të këtij objekti, aq të kërkuar nga besimtarët islamë, i paraprinë fjalimet e kryemyfitut Tërnava, të kryeparlamentari Krasniqi dhe të kryeministrit Thaçi. Ata vlerësuan këtë moment të rëndësishëm për besimtarët e këtij konfesioni dhe për vendin, ku liritë fetare e kombëtare përbëjnë shtyllat themelore të demokracisë.
“Kosova është vend ku kulturat, traditat e fetë janë gërshetuar përgjatë shumë shekujve dhe ku bashkëjetesa mes tyre ka qenë e vazhdon të jetë virtyt dhe vlerë e saj. Është vend i besimit në njeriun dhe i mirësisë mes njerëzve, vend i tolerancës dhe respektit fetar”, tha presidentja Atifete Jahjaga, sipas së cilës ky gërshetim vlerash fetare e kulturore i ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një vlerë më të madhe: atë të guximit të bashkëjetesës në diversitet dhe të punës së përbashkët drejt të ardhmes më të zhvilluar.
“Shteti ynë është shtet laik, i ndërtuar mbi parimin qytetar që garanton çdo të drejtë të secilit individ dhe komunitet, dhe lirinë fetare si një të drejtë demokratike. Është shtet multikulturor e multifetar”, tha presidentja në vazhdim dhe shtoi “Këto themele që sot po vihen, janë jo vetëm themele të një objekti të kultit, por më shumë se kaq: themele të një objekti që do të ndihmojë besimtarët në rrugën e tyre të fesë, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të nxënë dijen për fenë”.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, duke uruar, rikujtoi edhe respektimin e besimit tradicional të myslimanëve në Kosovë dhe nevojën që të mos pengohen sektet ekstremiste. “Prishtinës ju ka dashur një xhami me përmasa të tilla, dhe se Kosova po hap rrugë të reja edhe për kultet fetare. Prishtinës ndoshta deri më sot i ka munguar një xhami e përmasave të tilla, për tu siguruar hapësirë të mjaftueshme që besimtarët të kryejnë në Kushte Minimale ritet fetare. Kosova e lirë e pavarur dhe demokratike po hap rrugë të reja për të gjithë, edhe për kultet fetare”, ka theksuar Krasniqi
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka uruar vënien e gurthemelit të Xhamisë në Prishtinë, duke thënë se edhe pse Kosova është shteti më i ri në Botë, populli i Kosovës ka një traditë të gjatë të tolerancës dhe harmonisë ndërfetare.
“Kosova shtet i ri, mirëpo është një shembull për rajonin dhe botën për harmonin ndërfetare. Ky fakt bëhet edhe më i rëndësishëm kur në kohën e sotme çështja e bashkëjetesës së kulturave dhe feve është një ndër sfidat më të rëndësishme që po kapërcen bota jonë në saje të procesit të globalizmit, i cili ka ofruar dhe ngjitur dallimet kulturore dhe fetare”, ka thënë kryeministri Thaçi./koha/