Të dielën në 28 tetor, akrepat e orës zhvendosen 60 minuta prapa.
Ndryshimi i orës do të bëhet natën duke e gdhirë e diel, kur akrepat të shënojnë orën 03:00, të cilat me orën e re do të shënojnë 02:00 dhe zyrtarisht hyjmë në ritmet e dimrit.
Të dielën do të flemë pak më shumë, por mos harroni të keni ndërruar orën për të hënën, kur fillon puna, shkolla dhe detyrimet e tjera.
Ndryshimi i orës më parë në Evropë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por ai filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës, kur disa vende vendosën të ndryshojnë orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike. Si ligj evropian, ndryshimi i orës në këtë rajon u vendos në vitin 1981 dhe është rinovuar çdo 4 vjet . Norma evropiane vendosi në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora shkon një orë pas); që tani respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit./Balkanweb/