Bora e cila është duke rënë pa ndërprerë që nga mesi i ditës në Komunën e Deçanit ka kaluar të 50 centimetrat, duke vështirësuar dukshëm lëvizjen e makinave dhe të qytetarëve. Sipas Admir Hasanajt, drejtori Drejtorisë për Mbrojtje Shpëtim dhe Shërbime Publike, për momentin gjendja është nën kontroll, pasi që sipas tij këtë vit kjo komunë ka bërë përzgjedhjen e kompanisë për pastrim bore. “Reshjet janë të intensitetit të lartë dhe trashësia e borës ka kaluar 50 centimetra. Jemi duke punuar vazhdimisht në të gjitha rrugët e qytetit dhe të gjitha fshatrave”, ka thënë ai. Besoj se deri në orët e para të mëngjesit, kur edhe do të ndalet lëvizja e automjeteve do jemi në aksion, ku do të kemi më shumë hapësirë për pastrimin e borës. Probleme po shkaktojnë vozitësit, të cilët ende janë me goma të verës e të cilët po bllokojnë rrugët, por edhe po pengojnë pastruesit”, ka thënë Hasanaj.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për regjionin e Pejës, Xhevat Ibraj, ka thënë se nga të reshurat e vazhdueshme në Rajonin e Pejës është vështirësuar lëvizja e automjeteve në trafik, sidomos e automjeteve të mëdha. “Bora që po bie ka vështirësuar dukshëm lëvizjen e automjete, ndërkaq pika kufitare Pejë Kullë Rozhajë është e bllokuar për makinat e mëdha, kurse makinat e vogla duhet të kenë me vete pajisjet e borës sepse ndryshe kalimi është i vështirë”, ka thënë ai duke treguar se gjendje e njëjtë është edhe në rajonin e Rugovës. Ndërkaq si më e rëndë është edhe lëvizja në aksin rrugor Deçan - Pejë, gjegjësisht në fshatin Strellc, ku në përpjetëzen e këtij fshati ka lëvizje me shumë pengesa, dhe ku shoferët e pa përgatitur për stinën e dimrit bllokojnë trafikun me makinat e tyre, ka thënë Ibraj.
Ibraj ka thënë se deri më tani nuk është njoftuar për ndonjë aksident me fatalitet apo edhe dëme të rënda materiale, përveç atyre të vogla./koha/