Presidenti Bujar Nishani u ka bërë ftesë biznesmenëve të Arabisë Saudite të investojnë në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare, si energjitikë, infrastrukturë, turizëm, e veçanërisht bujqësi.
Gjatë një takimi me Princin Nawaf ibn Faisal ibn Fahd të Mbretërisë së Arabisë Saudite, kreu i shtetit Nishani vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve duke theksuar se është e rëndësishme që në nivelin e marrëdhënieve politike të ngjiten edhe marrëdhëniet në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.
Nga ana e tij, Princi Nawaf ibn Faisal ibn Fahd të Mbretërisë së Arabisë Saudite, vlerësoi se nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet dy vendeve në fushën e rinisë dhe sporteve përbën një mundësi për forcimin e marrëdhënieve dhe vijueshmërinë e tyre.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për qëndrimin e Arabisë Saudite ndaj çështjes së Kosovës duke e vlerësuar si kontribut për paqen e stabilitetin në rajon dhe shprehje të frymës së miqësisë midis dy popujve tanë.
Princi Nawaf ibn Faisal ibn Fahd të Mbretërisë së Arabisë Saudite, ndodhet në vendin tonë për një vizitë zyrtare, me ftesë të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi./shekulli/