Murtez Xhema, rreth 50-vjeç, nga rajoni i Mitrovicës, është vrarë dje nga një person i maskuar në qytetin Helsingborg të Suedisë.
Xhema ka qenë kryetar i shoqatave të bashkuara shqiptare dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Dega në Suedi.
Indeksonline ka kontaktuar me një mik të viktimës, i cili përmes telefonit ka deklaruar se Murtezi është qëlluar për vdekje dje rreth orës 11:00.
Ai tha se Xhema ka qenë veprimtar i dalluar dhe ka punuar shumë për shqiptarët në Suedi.
Ndryshe mediat lokale në Suedi kanë raportuar se personi i dyshuar ka qenë me maskë në kokë dhe i veshur blu.
"Unë pashë një person të vdekur dhe të shtrirë në tokë", ka thënë një dëshmitar për gazetën lokale "Helsingsborgs-Dagblad".
Një numër i dëshmitarëve të ngjarjes kanë thënë se kanë dëgjuar disa të shtëna dhe viktima ishte një njeri me moshë mesatare, por policia rajonale nuk ka konfirmuar informacionin.
Për vrasjen e nënkryetarit të PDK-së në Suedi, ende nuk është informuar partia në Prishtinë.
“Nuk kemi ndonje informacion të tillë”, ka thënë për Indeksonline, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi.
Policia rajonale në Suedi ka rrethuar vendin e krimit dhe është duke zhvilluar hetime në lidhje me rastin. Deri tani nuk është raportuar për ndonjë person të arrestuar./Valdrin Krasniqi /Indeksonline/