Shqipëria ka 2.821.977 banorë. Instituti i Statistikave bëri publik rezultatet e censusit të popullsisë dhe banesave, i cili krahasuar me shifrat e vitit 2001, regjistron një rënie të popullsisë prej 8 %. Sipas censusit, 82.3 % e popullsisë janë deklaruar shqiptarë, ndërsa 0.87 % e popullsisë me kombësi greke. Regjistrimi sjell gjithashtu të dhëna mbi etninë dhe fenë.
"Janë numër 56.7 % muslimanë, 10.08 % katolikë, 6.75 % ortodoksë. Ndërkohë që, 5.49 % janë vetëdeklaruar si besimtarë të pacilësuar e 2.5 ateistë. Përsa i përket popullsisë etno-kulturore 82.58 % janë deklaruar shqiptarë, 0.57 % grekë, 0.3 romë, 0.3 aromunë dhe 0.2 maqedonas", bëri me dije drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja.
Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, e ka cilësuar të suksesshëm procesin e censusit, ndërsa ka dhënë arsyet pse numri i popullsisë shqiptare ka rënë.
"Një ulje në raport me 10 vite më parë, e cila kryesisht shpjegohet me emigracionin dhe rënien e lindshmërisë",- tha ministri Pollo.
Numri i të deklaruarve me kombësi shqiptarë është 2.329.715 persona. Në census tregohet se vetëm 0.87 % e popullsisë ose 24.361 persona kanë thënë se kanë kombësi greke. Rreth 14.07 %, ose 393.979 persona nuk i janë përgjigjur pyetjes për kombësinë dhe mbi 99 % e të intervistuarve deklarojnë se shqipja është gjuha e tyre mëmë./albanianscreen/