Policia gjermane e ka zënë dhe e ka dëbuar pesë herë deri më tash por, shtetasi shqiptar sërish është kthyer në Gjermani. Për të punuar “në të zezë”, siç ka pranuar ai vetë.
Por, pasi që ai edhe njëherë e kishte shpërfillur ndalimin për hyrje në Gjermani, Gjykata në Rosenheim kësaj here nuk ishte mjaftuar me dëbim: ajo e ka dënuar shqiptarin me burg.
Ai ishte kapur derisa po udhëtonte në një autobus të linjave ndërkombëtare, ku ishte përzier në mesin e udhëtarëve tjerë. Policisë nuk kishte mundur t`i ofronte kurrfarë dokumentesh identifikimi por i kishte deklaruar se kishte ardhur që të punonte për të fituar para.
Duke shikuar në kompjuter, policët kanë gjetur se personi i njëjtë deri më tash qe dëbuar pesë herë nga Gjermania.
Pasi që njëherë i ishte hedhur poshtë kërkesa për azil, autoritetet për të huaj në Hamburg i kishin shqiptuar atij një ndalesë për hyrje dhe qëndrim në Gjermani.
Por për të kjo ndalesë nuk do të thoshte asgjë. Ai kishte ardhur sërish dhe sërish në Gjermani, pjesërisht edhe me emër të falsifikuar. Pa ndonjë dënim deri tash.
Mirëpo, pas arrestimit të fundit, atij i është shqiptuar një dënim prej katër muajsh burg pa kusht.
Mbetet të shihet nëse ai, pas lirimit nga burgu dhe dëbimit në Shqipëri, do të “provojë fatin” edhe për të shtatën herë!/albinfo/