Përderisa Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parasheh ulje të temperaturave deri në minus 12 gradë celsius për javën e fundit të dhjetorit, Klinika Emergjente në QKUK njofton se është rritur dukshëm numri i pacientëve që trajtohen si pasojë e aksidenteve dhe rrëshqitjes në akull gjatë këtij muaji, shkruan sot “Koha Ditore”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës (PK), Baki Kelani, ka theksuar se Policia me kohë ka ndërmarrë masa për përforcimin e shërbimeve të policisë së komunikacionit rrugor në të gjitha akset rrugore dhe se gjatë këtyre 15 ditëve është shënuar një ngritje e “lehtë” e aksidenteve për shkak të motit të lig.
“Gjatë këtyre ditëve shifrat e aksidenteve nuk kanë shënuar një ngritje të theksuar për shkak të motit të lig dhe të reshurave të borës. Kryesisht rrugët më të vështirësuara kanë qenë ato në zonat malore ku pozita gjeografike vështirëson qarkullimin e automjeteve. Numri më i madh i aksidenteve ka qenë me dëme materiale dhe lëndime të lehta”, ka bërë të ditur Kelani.
Akset rrugore në të cilat ishin krijuar vështirësi për kalim janë, sipas Kelanit, ato në rajonin e Pejës, në Brezovicë, Dragash, Shalë e Bajgorës, si dhe rrugët e disa fshatrave të zonave malore. “Me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacionin rrugor, PK-ja apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion”, ka theksuar Kelani.
Përveç lëndimeve nga aksidentet, Basri Lenjani, drejtor i Emergjencës në QKUK, ka thënë se gjatë dy javëve të para të dhjetorit është rritur dukshëm edhe numri i pacientëve të rrëzuar nga rrëshqitjet në akull. Ai ka bërë të ditur se numri i pacientëve që janë trajtuar në Emergjencë si pasojë e aksidenteve në trafik, për këtë periudhë kohore ka qenë 158 pacientë.
“Është shtuar numri i të lënduarve nga aksidentet dhe i të hospitalizuarve, është shtuar numri i të rrëzuarve nëpër rrugët me ngrica. Është shtuar numri i rasteve të lëndimeve të ekstremiteteve, të frakturave dhe ndrydhjet e tyre. Kjo rritje është e pritshme gjatë sezonit dimëror”, ka theksuar Lenjani.
Më të prekurit nga lëndimet trupore dhe frakturat prej rrëshqitjeve nga ngrica, Lenjani ka thënë se janë moshat e shtyra. Ai ka rekomanduar se gjatë ditëve me ngrica personat në moshë të shtyrë të mos lëvizin shumë në këmbë, ngase çdo lëndim “sado i vogël” që marrin i sjell deri tek fraktura.
“Tek aksidentet në trafik të lënduarit më së shumti janë të rinjtë nga 18 dhe 35. Mbi 35 vjeç më rrallë ndodh për shkak se tregojnë kujdes më të shtuar, andaj ne apelojmë tek të rinjtë dhe tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm në trafik”, ka thënë ai.
Sylë Tahirsylaj, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka bërë të ditur se nga e hëna do të ketë reshje shiu, ndërsa në vendet kodrinoro-malore edhe reshje bore. “Temperaturat minimale në shkallë vendi do të sillen nga 0 deri në minus 4 gradë dhe ato maksimalet gjatë ditës deri në 6 gradë celsius”, ka thënë ai.
Ndërkaq për javën e fundit të dhjetorit Tahirsylaj ka potencuar se do të ketë temperatura më të ashpra që do të shkojnë deri në minus 12 gradë celsius dhe erë nga ana e veriut dhe verilindjes. “ Nuk do të ketë temperatura ekstreme, këto janë temperatura karakteristike për sezonin e dimrit”, ka shtuar ai./Lajmonline/
