Në Gjykatën Penale në Shkup sot është shtyrë procesi gjyqësor për rastin “Monstra” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.
Kërkesa për shtyrjen e procesit është bërë nga ana e avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan që të ndërpritet seanca, me qëllim që të akuzuarit të njihen me provat dhe aktakuzën e ngritur.
“Ata duan të shohin provat me të cilat akuzohen dhe gjoja i disponon si të dëshmi prokuroria dhe se kjo e drejtë e tyre është ligjore”, theksoi për INA një nga avokatët Naser Raufi.
Procesi gjyqësor u caktua për të vazhduar më 9 dhe 10 janar 2013, ku prokuroria do të shpalos provat e saj.
Procesi gjyqësor për këtë rast po udhëhiqet nga trupi gjyqësor i kryesuar nga gjykatësi Ivica Stefanovski.
Avokati mbrojtës Naser Raufi deklaroi se edhe më tej qëndron në bindjen e tij se të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc janë të pafajshëm dhe duhet sa më parë të lirohen.
Ndërkohë, siç mëson agjencia e lajmeve INA, të paraburgosurit lidhur me këtë rast janë ankuar për gjendjen e rëndë dhe mizore në burgjet në Manastir, Prilep dhe Shkup, ku po vuajnë paraburgimin. /INA/