Rasti “Kleçka” rinisë në shkurt?

Rasti gjyqësor në të cilin është i akuzuar deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij, i njohur si rasti ”Kleçka”, pritet të rifillojë në fund të janarit ose në fillim të shkurtit të vitit të ardhshëm. Kjo për shkak të masës së paraburgimit që u është caktuar dhjetë të akuzuarve në këtë rast. Për shkak të kësaj mase gjykata duhet t’i përshpejtojë procedurat, sepse masa e paraburgimit llogaritet si një masë e rëndë për të pandehurit.

“Unë besoj se kjo do të ndodh në fund të janarit, ose fillimi i shkurtit të vitit të ardhshëm, sepse rastet kur personat e pandehur ndodhen në paraburgim, gjykata duhet të veprojë me nguti të posaçme, pra duhet t’i përshpejtojë për shkak të faktit se paraburgimi është një masë shumë e rëndë”, ka thënë Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i deputetit të Kuvendit të Kosovës, i akuzuar në këtë rast.

Rrecaj ka theksuar se mbrojtja sot e ka bërë kërkesën e fundit për mbrojtjen e ligjshmërisë së vendimit të Gjykatës së Qarkut.

“Sot, unë së bashku me Tomë Gashin, kolegun Karim Khan, kemi dorëzuar një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër aktvendimit të Gjykatës Suprem me të cilin pati refuzuar ankesën e mbrojtjes të paraqitur kundër aktvendimit të kryetarit të trupit gjykues me të cilin Limajt dhe të tjerëve iu pat caktuar masa e paraburgimit”, ka thënë ai./Kosovpress/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat