Të rinjtë serbë që ishin nisur për të dëmtuar përmendoren pllakën përkujtimore të pjesëtarëve të UÇPMB-së të vendosur para objektit të Kuvendit Komunal të Preshevës sigurisht se janë frymëzuar nga ana e deklaratave kërcënuese të kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, ka vlerësuar Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës.
Mustafa në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nëse bashkësia ndërkombëtare do të pranonte ndonjë zgjidhje për autonominë e serbëve në veri, sigurisht se shqiptarët e Luginës së Preshevës do t’i fuqizonin kërkesat e tyre për bashkim me Kosovën.
Kryetari i Preshevës ka reaguar kështu pasi që policia në Serbi ka arrestuar sot 14 të rinj, të cilët me tri vetura ishin nisur nga Beogradi në drejtim të Preshevës, ndërsa ndaj tyre është ngritur kallëzim penal, për shkak se me vete kishin pajisje të cilat mund të llogaritën armë, siç janë qysqi, mjete të forta tjera metalike.
Ndërkohë, Mustafa ka deklaruar se djemtë e revoltuar që mund të jenë edhe paramilitarë, nuk do të frikësojnë shqiptarët, të cilët janë të vendosur që të mbrojnë vlerat e tyre. Mustafa ka thënë për Telegrafin se megjithatë shqiptarët nuk do të përgjigjen me të njëjtat metoda vandaliste.
Më herët, kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic kishte deklaruar se nëse pranojnë të vendosin një pllakë duke nderuar ata që vranë policë e ushtarë në jug të Serbisë, atëherë mund të thuhet lirisht se Lugina e Preshevës nuk është pjesë e Serbisë.
Ndërkohë, Ragmi Mustafa ka komentuar edhe platformën ende jo zyrtare të Beogradit, e cila parashikon që serbëve të veriut të Kosovës t’u jepej një status special. Ai nuk beson se kjo do të ndodhë, por thotë se në rast se bashkësia ndërkombëtare do të pranonte ndonjë zgjidhje të ngjashme, sigurisht se shqiptarët e Luginës së Preshevës do t’i fuqizonin kërkesat e tyre për bashkimin me Kosovën.
“Veriu nuk mund të krahasohet me tri komunat në Luginën e Preshevës, sepse kanë qenë pjesë e Vilajetit të Kosovës. Gjithashtu, është bërë një referendum për bashkim me Kosovën në vitin 1992, e ndërkohë është njohur ndërkombëtarisht edhe lufta e UÇPMB-së. E ndërkohë, edhe Kuvendi Komunal i Preshevës më herët kishte nxjerrë Rezolutë e cila konfirmonte rezultatin e Referendumit”, ka thënë Mustafa./presheva.com/