62 shqiptar të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit janë varrosur në Afërsi të Mitrovicës dhe trupat e tyre ende nuk janë ekshumuar, ndonëse ka informacion për vendndodhjen e tyre. Shoqata “Thirrjet e prindërve” apelon te institucionet vendore dhe ndërkombëtare për bashkëpunim më të mirë me familjarët e të pagjeturve të cilët kanë informacion për këtë. Udhëheqësi i kësaj shoqate Bajram Qerkini thotë po ashtu se 2000 persona që konsideroheshin të pagjetur janë varrosur pa analizën e AND-së.
Bajram Qerkini udhëheqës i shoqatës “Thirrjet e prindërve” thotë se gërmimet në varrezat e myslimanëve në dalje të Mitrovicës janë ndërprerë vite më parë edhe pse informacioni se aty janë të varrosur 42 shqiptarë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës, është i saktë.
Qerkini thotë po ashtu se edhe 20 trupa të tjerë janë varrosur në një varrezë masive në Kolludër të Zubin Potokut dhe se për këtë ka dëshmitarë të gjallë të cilët i kanë mbijetuar masakrës.
Sipas tij 2000 persona që konsideroheshin të pagjetur, janë varrosur pa identifikim të sigurtë, pasi analiza e ADN-së nuk është bërë. Kjo do të thotë se këta trupa duhet të zhvarrosen edhe njëherë gjë që do të lëndonte ndjenjat e familjarëve.
Qerkini apelon te institucione vendore dhe ndërkombëtare për një bashkëpunim më të mirë më familjarët e të pagjeturve dhe me shoqatat që merren me këtë çështje. Sipas tij komisioni per persona të pagjetur nuk ka informacion të mjaftueshëm./rtk/
