Mbi 1 milion kg produkte të dyshimta janë asgjësuar gjatë këtij viti

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës, e ka përmbyllur me sukses vitin që po e lëmë pas. Zyrtarë të kësaj agjencie i thanë Radio Kosovës se vetëm gjatë vitit 2012, është arritur të asgjësohen mbi një milion kilogram produkte ushqimore dhe pije pa dokumentacion të prejardhjes së vendit të origjinës. Sipas tyre, e gjithë kjo është bërë në mënyrë që të ruhet shëndeti i qytetarëve.

Produktet ushqimore, që kryesisht kanë prejardhje nga Serbia, kanë qenë vazhdimisht në fokus të kontrollimit nga Agjencitë që veprojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit.

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci, i tha Radio Kosovës se gjatë vitit 2012, inspektorët fitosanitarë, kanë ndaluar dhe më pas asgjësuar mijëra tonelata produkte të dyshimta ushqimore, të cilat kanë pasur mungesë të dokumentacionit mbi prejardhjen dhe origjinën e tyre.

“Të gjitha produktet ushqimore që janë të dyshimta, apo paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve, të gjitha ato largohen nga tregu dhe nuk lejohen të përdoren. Vetëm gjatë vitit 2012, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka asgjësuar mbi 1 milion e 100 mijë kilogram produkte të ndryshme ushqimore, qoftë me origjinë bimore apo origjinë shtazore”, tha Gjinovci.

Gjinovci thotë se me angazhimin e inspektorëve në terren, është arritur që të eliminohen mundësitë e helmimit të qytetarëve nga produkte të ndryshme ushqimore:

“Duke pasur parasysh edhe kushtet klimatike që i kemi kaluar gjatë kësaj vere, nuk kemi pasur raste të helmimeve masive dhe mbi të gjitha nuk kemi pasur humbje të jetëve të njerëzve si pasojë e konsumimit të produkteve ushqimore të pasigurta apo jo cilësore”.

Së fundi, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit ka larguar nga tregu edhe shaponin “KOSIL” prodhim i një kompanie të Shkupi, i cili dyshohej se përmban substanca kancerogjene.

Gjinovci thotë se mostrat e këtij produkti janë dërguar për analiza ekzaminuese jashtë vendit dhe pas rezultateve do të dilet me raporte konkrete.

Ndryshe, Gjinovci premton se gjatë vitit 2013, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës do ta rrisë edhe më shumë nivelin e kontrollit t produkteve, duke krijuar siguri më të madhe ushqimore për qytetarët./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat