Procesi gjyqësor i njohur si rasti “Kleçka” konsiderohet se ka pasur shkelje të mëdha ligjore, duke filluar nga marrja e deklaratave të Agim Zogajt, i njohur si ‘dëshmitari X’ e deri të rikthimi i tij procesi në rigjykim. Kështu mendojnë disa nga avokatët mbrojtës të të pandehurve në këtë rast. Ndonëse mbi bazën e dëshmive të ‘dëshmitarit X’ kishte filluar i tërë ky proces, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, e cila njihet si gjykatë e shkallës së parë, i kishte shpallur si të papranueshme pretendimet si dëshmi të ditarit në fjalë dhe pas gjykimit të këtij rasti kishte vendosur që t’i lirojë dhjetë të pandehurit e rastit. Por Gjykata Supreme e Kosovës, si gjykatë e shkallës së dytë, kishte vendosur që t’i pranonte dëshmitë e ‘X’-it dhe bashkë me këtë, e ktheu lëndën në rigjykim, e që për avokatët konsiderohet se është bërë shkelje procedurale. Po ashtu, edhe caktimi i masës së paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, për të pandehurit, konsiderohet se është bërë me shkelje procedurale.
Florin Vërtopi, avokat mbrojtës i të pandehurit Naser Krasniqi, konsideron se shkeljet procedurale në rastin “Kleçka” kanë filluar qysh në shkallën e parë, me marrjen e deklaratave dhe ditarëve të dëshmitarit Agim Zogaj. Ai po ashtu konsideron se ka shkelje procedurale edhe në Gjykatën Supreme, por që së shpejti do të kuptohen ato, duke mos dashur që të flasë më shumë pa e pranuar vendimin nga kjo e fundit.
“Në shkallën e parë kemi pasur shkelje procedurale, në veçanti te dëshmia e dëshmitarit Agim Zogaj, prej fillimit e deri në deklaratën e tij të fundit. Një vendim i shkallës së parë i ka përjashtuar ato dhe i ka veçuar si prova. Edhe në shkallën e dytë - në Gjykatën Supreme ka shkelje, ato do të shihen së shpejti, vetëm po e presim aktvendimin dhe mbi këtë bazë, sipas të gjitha gjasave, mbrojtja nuk do ta lë me aq. Gjasat janë që do t’i përdorim mjetet e caktuara, por për momentin nuk dua ta japë si lajm, para se ta marrë aktvendimin e Gjykatës Supreme, sepse ajo i ka pranuar provat që janë përjashtuar nga gjykata e shkallës së parë dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim. Kolegji i Gjykatës Supreme ka pasur të drejtë po të kishte konsideruar se ka shkelje lidhur me bazat ankimore të Prokurorit Special dhe me këtë rast ka mundur ta kthejë lëndën në rigjykim, por kjo në fakt edhe ka vendosur për çështjen penale kur ka bërë pranimin e provave, sepse mbrojtjen e ka vënë para një gjykimi të padrejtë me rastin kur kthehet lënda në rigjykim”, ka thënë ai. /Kosovapress/