Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, ka pranuar sot një notë verbale nga Ambasada e Pakistanit në Turqi, me të cilën njoftohet për vendimin e Qeverisë së Republikës Islamike të Pakistanit për emërimin e ambasadorit në Turqi, Muhammad Haroon Shaukat, ambasador jo-rezident në Republikën e Kosovës.
Vendimi i Pakistanit vjen pas njohjes së pavarësisë së Kosovës më 24 dhjetor 2012.
Ambasadori Muhammad Haroon Shaukat, është një diplomat pakistanez i karrierës, me një përvojë të gjatë në shërbimin diplomatik të Pakistanit, duke shërbyer në misione të ndryshme të këtij shteti, si në Paris, Nju Jork e vende të tjera, si dhe ka qenë ambasador i Pakistanit në disa vende shumë të rëndësishme të botës përfshirë edhe Brazilin, Bolivinë, Kolumbinë dhe Paraguain.
Republika e Kosovës në vazhdimësi ka shprehur vullnetin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe forcimin e bashkëpunimit bilateral me Pakistanin. (RTK)