Një komision i Egjiptit, i cili heton vdekjen e protestuesve në revoltën që ka rrëzuar Hosni Mubarakun më 2011, ka deklaruar se ish-presidenti egjiptian ka pasur njohuri për shkallën e protestave dhe shtypjen e tyre.
Komisioni ka thënë se Mubaraku ka shikuar drejtpërdrejt, përmes video-lidhjeve, protestat dhe përgjigjen brutale të forcave të tij të sigurisë.
Mubaraku tashmë është duke shërbyer dënimin me burg të përjetshëm, në lidhje me vdekjen e qindra protestuesve.
Megjithatë, ai është dënuar për dështimet e tij për të ndaluar vrasjet dhe jo për urdhërimin e tyre.
Raporti i komisionit mund të rrisë presionin mbi autoritetet për të rigjykuar ish-presidentin 84 vjeç.
Raporti nuk është bërë ende publik, por disa anëtarë të komisionit kanë folur për gjetjet e tij.
Komisioni është autorizuar nga presidenti i Egjiptit, Muhammad Morsi, shumë shpejt pas zgjedhjes së tij në këtë post, në qershorin e vitit të kaluar./rel/