Përveç pacientes 37-vjeçare tek e cila është konstatuar virusi H1N1, e e cila ditë më parë është shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK, nuk ka raste të reja të dyshuara dhe as të konfirmuara në QKUK me këtë virus. Zyrtarët shëndetësorë pohojnë se ky është një rast i izoluar dhe se nuk ka vend për shqetësim në këtë mes.
Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) tha për Kosovapress se deri më tani në QKUK është vetëm një paciente e prekur nga virusi H1N1 dhe se nuk ka pasur raste tjera të dyshimta dhe as të konfirmuara. Dreshaj pohon se gjendja e gruas së hospitalizuar, tek e cila është konstatuar prania e virusit H1N1, ende mbetet e rëndë, megjithëse ka pasur përmirësim në krahasim me ditët e kaluara. Megjithatë, ai thotë se janë të përgatitur në rast se do të ketë dhe raste të reja dhe se nuk ka vend për shqetësim.
Ndërsa Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik pohon se nuk ka nevojë për panik, pasi që edhe virusi H1N1 do të kalojë si grip i lehtë sezonal./kosovapress/