Analistët vlerësojnë se institucionet e Kosovës janë të papërgatitura të bisedojnë me Serbinë për çështjen e veriut. Politikologu, Behlul Beqaj konsideron Serbia po përpiqet në formë diplomatike e politike ta ndryshojë rregullimin e brendshëm të Kosovës.
Kosova gjendet para një situate të re. Me 17 janar është paralajmëruar se veriu do të jetë temë e bisedimeve midis Kryeministrit Thaçi dhe atij serb Daçiqi. Duke marrë parasysh këtë situatë analisti, Behlul Beqaj thotë se institucionet e Kosovës janë të papërgatitura për këtë çështje.
“Kjo nënkupton faktin se ata që do të bisedojnë për këtë temë janë të papërgatitur në formën se si do t’i zgjidhin problemet ngase problemet nuk përkojnë me Kushtetutën dhe rendin juridik të Kosovës, e zgjidhja e problemit nuk mund të jetë duke u mbështetur në Kushtetutë ashtu sic pretendojnë zyrtarët e Kosovës”, tha Beqaj për Radio Kosovën.
Politokologu Beqaj thotë se platforma e Serbisë gjithsesi ka të bëjë me faktin e problemit kyç të serbëve.
“Pra deshëm apo nuk deshëm Serbia po përpiqet në forma diplomatike dhe politike ta ndryshojë rregullimin e brendshëm duke i faktorizuar me një status të ri jo vetëm ata që janë në veri, por edhe ata në jug të Ibrit dhe kjo është cështje që e prek definitivisht rregullimin e brendshëm kushtetues për të cilën gjë mendojë se askush nuk ka kompetenca dhe autorizime për të zhvilluar bisedime”, tha ai.
Ndërsa Driton Lajçi thotë se BE-ja po përpiqet të gjejë zgjidhje të pranueshme për palët sa i përket tri komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
“Në këtë rast është Pakoja e Ahtisaarit si dokument kryesor dhe Kushtetuta e Kosovës e cila legalisht dhe formalisht është e gjallë në gjithë territorin e Kosovës. Gjithashtu edhe duke i përligjur edhe kërkesat e shumicës serbe që jetojnë në tri komuna e banuara me serb, pra roli i BE-së do të jetë përafrimi i interesave të Serbisë me Kushtetutën dhe pakon e Ahtisaarit”, tha ai.
Siç u tha, me 17 janar pritet të zhvillohet raundi i radhës i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit./rtk/