Kuvendarët shqiptarë të Luginës miratuan Deklaratën Politike

Shtatëdhjetë e dy kuvendarë shqiptarë të tri Kuvendeve të Luginës së Preshevës, kanë mbrojtur sot qëndrimin e përbashkët në seancën e jashtëzakonshme të tre Kuvendeve për mos heqjen e përmendores së dëshmorëve të UÇPMB-së nga Sheshi i Dëshmorëve të Kombit në Preshevë.

Në seancë, e cila zgjati disa orë pati fjalime të shumta të përfaqësuesve të subjekteve politike, emërues i të cilave ishte tejkalimi i situatës pas kërcënimeve të kreut shtetëror serb për heqjen e përmendores, ndërkohë që u kërkua nga Prishtina dhe Tirana zyrtare një angazhim më serioz në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginë.

Ndërkohë që, grupi punues nga seance u tërhoq për përpilimin e Deklaratës Politike, aktivist të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginë, siç deklaruan në shenjë revolte për mos angazhim të mjaftueshëm, kishin vendos në godinën e komunës foto të dy kryeministrave shqiptarë Sali Berisha dhe Hashim Thaçi.

Nga ana tjetër, kuvendarët shqiptarë në mënyrë unanime votuan Deklaratën Politike, e cila rikonfirmon parimet e Platformës së shqiptarëve të Luginës të vitit 2006 dhe ato të Marrëveshjes së Konçulit të vitit 2001.

Pas përfundimit të seancës, përfaqësuesit politik mbajtën një konferencë për medie, në të cilën u shpreh zotimi për kërkim të zgjidhjes paqësore dhe konstruktive të gjendjes së fundit të krijuar në Luginë.

Vendimet e paraqitura në Deklaratën e sotme Politike, i’u kanë adresuar të gjithë faktorëve relevant vendor dhe ndërkombëtar. Ndërkaq, seanca e sotme pati një interesim të jashtëzakonshëm të mediave, por jo edhe të përfaqësive diplomatike të akredituara në Serbi./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat