Prishtina thotë se nuk do të bisedohet për rezolutën e Serbisë

Kuvendi i Serbisë ka miratuar rezolutën për Kosovën. Me këtë rezolutë parashihet që të gjitha bisedimet e ardhshme me Prishtinën duhet të jenë në përputhje me këtë dokument, e në veçanti insistohet në ngritjen e një autonomie për komunat serbe. Mirëpo këto pretendime të Serbisë asnjëherë nuk do të qiten në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Kështu ka deklaruar Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi i cili ka thënë se Serbia po i bën këto veprime sa për konsum të brendshëm.

“Duhet të kuptojmë si një pjesë letre që i konvenon vetëm aspektit të brendshëm. Platforma e Serbisë nuk është në tavolinën e bisedimeve. Ata kanë dashur që ta bëjnë për konsum të brendshëm dhe ta qesin para aktit të kryer më shumë BE-në se sa neve”, ka theksuar Kuçi.

Ndërkaq, Arben Gashi nga partia më e madhe opozitare LDK, i ka thënë RTK-së nëpërmjet telefonit se garantuesi i procesit të dialogut duhet të sqarojë se çka dëshiron të arrijë me këto bisedime dhe cili është objektivi i tyre, në të kundërtën u humb kuptimi këtyre bisedimeve.

“Është e paarsyeshme që të vazhdohet me bisedime dhe në këtë rast garanti ndërkombëtar duhet të sqaroj se çka dëshiron të arrij me këto bisedime dhe cili është objektivi i tyre. Pra i mbetët faktorit ndërkombëtar të dal me qëndrim konkret rreth dialogut, dhe t’i zgjidhë problemet me Serbinë sepse tashmë problemi nuk qëndron mes Kosovës dhe Serbisë, por mes BE-së dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Besnik Tahiri nga AAK-ja, parti kjo e përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, thotë se nuk janë risi veprimet e Serbisë karshi Kosovës, por e rëndësishme sipas saj është që Kosova të jetë e përgatitur mirë në këtë proces.

“Në një dialog politik palët luajnë rolet e veta, në këtë aspekt Serbia po e luan pozicionin e vet, po për ne është shumë me rendësi që Kosova të jetë e përgatitur që të jemi shumë argumentues në ofertat që kemi”, ka theksuar Tahiri.

Ndryshe nga qëndrimet politike, profesori i negocimit ndërkombëtar në Paris, Valon Murtezaj, veprimet e Serbisë i sheh si strategji të saj, e cila duke e penguar dhe dëmtuar Kosovën, synon integrim në Bashkimin Evropian.

“Qëllimet kryesore të qeveris së Serbisë në raport me shtetin e Kosovës është që t’i shkaktojnë sa më shumë lëndime Kosovës në rrugën drejt konsolidimit dhe ta vonoj në procesin e integrimeve evropiane dhe sidomos ta parandaloj anëtarësimin e Kosovës në OKB, dhe në të njejtën kohe serbia të përfitoj lehtësim në rrugën e saj drejt BE-së”, ka thënë Murtezaj.

Takimi i radhës ndërmjet dy kryeministrave Thaçi e Daçiq do të mbahet më 17 janar, ku zyrtarët në Bruksel e Beograd kanë paralajmëruar biseda për veriun, ndërsa zyrtarët qeveritarë të Kosovës kanë thënë se në këtë takim do të diskutohet për shpërbërjen e strukturave paralele./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat