Mediat arabe: Kosova kërkon njohjen nga shtetet e OBI-t

Mediat arabe kanë prezantuar vizitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në selinë e Organizatës për Bashkëpunim Islamik, në Jedaaah të Arabisë Saudite.

Agjencia “Middle East North Africa Financial Network (MENAFN)”, në faqet e saj ka publikuar lajmin e takimit të ministrit Hoxhaj me sekretarin e Përgjithshëm të OBI-t, Ekmeleddin Ihsanoglu, duke e vlerësuar këtë si një vizitë speciale për këtë organizatë.

MENAFN po ashtu ka transmetuar qëndrimet e ministrit Hoxhaj dhe kërkesën e tij që të gjitha vendet e Organizatës për Bashkëpunim Islamik ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, duke përmendur faktin se tashmë 31 prej 57 shteteve anëtare të saj e kanë marrë një vendim të tillë.

“Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të korrikut 2010, e cila ka vendosur se shpallja e pavarësisë së shtetit tonë më 17 shkurt 2008 nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare, është koha e duhur për këto shtete që të njohin Kosovën, pasi ato nuk kanë ndonjë arsye politike dhe legale për të mos e njohur Kosovën, sidomos pas pranverës arabe”, citon “Middle East North Africa Financial Network”, ministrin Hoxhaj.

Kjo agjenci po ashtu veçon njohjen e Kosovës nga Pakistani.

“Pakistani është një prej shteteve të rëndësishme të OBI-t dhe në botë. Shpresoj se shtetet e tjera do ta ndjekin Pakistanin dhe do ta njohin Kosovën”, citohet ministri Hoxhaj, i cili shton se kjo realisht do të mbështesë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

Në lajmin e publikuar, kjo agjenci e rëndësishme e informimit në botën arabe, po ashtu thekson se Kosova është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të Këshillit për Bashkëpunim të Shteteve Arabe të Gjirit (GCC) dhe ka marrë rreth 100 njohje diplomatike si shtet i pavarur. /Zëri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat