Në delegacion marrin pjesë 7 avokatë turq, 2 egjiptianë dhe 1 arabosaudit, gjithsej 10 avokatë anëtarë të Këshillit Drejtues të Shoqatës Ndërkombëtare të Juristëve.
Delegacioni kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, Nexhati Xhejlan (Necati Ceylan) dhe për dy ditë me radhë do të bëjë inspektime në Gaza.
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin “Shekulli i Ri” (Yeni Yüzyıll) dhe Anëtari i Bordit Drejtues të Agjencisë së Lajmeve Anadolli (AA), Prof. Dr. Refik Korkusuz në një prononcim tha se delegacioni në Gaza ka shkuar me qëllim për të dokumentuar krimet dhe shkeljet e Izraelit në Rripin e Gazës.
-Në qoftë se grumbullohen prova të mjaftueshme dhe bindëse atëherë do të fillojmë një proces në lidhje me autorët e këtyre krimeve, - sqaroi Prof. Dr. Korkusuz dhe shtoi do të përgatisin edhe një raport të gjithanshëm për t’ua dorëzuar autoriteteve kompetente kur të kthehen në Turqi.
-Populli turk e ka mbrojtur gjithmonë kauzën palestineze. Ngjarja me anijen “Mavi Marmara” e tregon më së miri këtë gjë, -u shpreh Prof. Dr. Korkusuz.
“I njoh të 9 turqit që gjetën vdekjen në sulmin e organizuar kundër anijes “Mavi Marmara”. Njërin prej tyre e kam pasur shok fëmijërie. Kjo situatë nuk përbën një vepër penale të pranueshme nga institucionet e drejtësisë ndërkombëtare”, shtoi ai.
Në kuadër të kontakteve në Gaza delegacioni turk vizitoi Ministrinë e Drejtësisë, Asamblenë Ligjvënëse të Palestinës dhe monumentin e ngritur në kujtim të atyre që humbën jetën në anijen “Mavi Marmara”./trt/