Historiani austriak, Oliver Jens Schmitt, ka publikuar në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë librin e tij “Shqiptarët- një histori mes Lindjes e Perëndimit”, që ka bërë jehonë në botën gjermanishtfolëse.
Profesori i Historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës, rrëzon tezat që njihen e pranohen prej kohësh ndër shqiptarë.
Kështu, ai shkruan se nuk ka pasur një kryengritje të vazhdueshme ndaj Perandorisë Osmane, por thotë se më shumë ka qenë një pranim i sunduesit të huaj. Ai shkon më tej kur thotë se shqiptarët e boshnjakët ishin si shtylla kurrizore e Perandorisë Osmane, raporton “Der Standard”.
Ai thotë se vërtet kundërshtohej ndonjëherë Perandoria Osmane, por për taksat ose për shërbimin ushtarak, por jo për ide nacionaliste. Ai thotë se Skënderbeu luftoi bashkë me vllehët, sllavët dhe grekët.
Një tezë provokuese e tij është se nuk është e vërtetë se shqiptarët nuk kanë qenë fetarë, madje kanë qenë po aq fetarë sa vendet e tjera ballkanike.
Schmitt thotë se nuk ka një vazhdimësi iliro- shqiptare, siç pretendojnë shqiptarët, duke theksuar se nuk ka gjetur asnjë element të tillë. Por Schmitt thotë se në të vërtetë kosovarët nuk janë vendosur vonë në tokën e tyre, siç pretendojnë serbët./gazetatema/