Një plaçkitje spektakulare e bankës sikur nëpër filma të Hollywood-it ka ndodhur në Berlin. Plaçkitësit e panjohur gërmuan nga një garazh parkimi për të mbërritur te kasaforta e një banke.
Plaçkitësit nëpërmjet një tuneli të gjatë 30-metra kishin mbërritur cakun në këtë bankë të Berlinit. Sipas policisë, autorët hynë në një garazh në Wrangelstrasse në Berlin dhe përmes një muri gërmuan një tunel 30 metra të gjatë që i ka dërguar deri te trezorët e bankës “Volksbank“. Ata kanë lënë bosh trezorët e bankës. Deri tani nuk ka asnjë gjurmë nga plaçkitësit. Shuma e dëmit është ende e panjohur.
“Tuneli është hapur në mënyrë shumë profesionale", tha një zëdhënëse e policisë. Çfarë saktësisht ka shkuar me hajnat mbetet për t'u sqaruar.
Vjedhja u zbulua të hënën në mëngjes nga zjarrfikësit. Njësitet e zjarrfiksve u alarmuan nga një banor, i cili kishte vërejtur tym nga garazhi. Sipas të dhënave të para, zjarri ka filluar me qëllim, ndoshta për t’i mbuluar gjurmët, tha zëdhënësja e policisë.
Hetuesit policorë kanë pyetur banorët nëse ata kanë parë ndokend të dyshimtë.
Një grabitje spektakulare e ngjashme e bankës kishte ndodhur më 1995 në Berlin. Në atë kohë, gjashtë burra sulmuan një degë të “Commerzbank” në Zehlendorf, duke marrë peng 16 persona. Autorët e krimit u arratisen gjithashtu nëpërmjet një tuneli që vetë e kishin gërmuar. Ata u kapën dhe u dënuan më vonë./albinfo/