Në Luginë, pak qytetarë e shumë policë

Në këto memente situata e sigurisë në Luginë të Preshevës paraqitet e tensionuar, ndërsa rrugët e Preshevës thuajse janë të zbrazura dhe vërehen lëvizje shumë të pakta të qytetarëve, por një shtim të forcave të sigurisë. Rreth 100 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe në një aksion të koordinuar kanë hequr dhunshëm përmendoren e dëshmorëve të UÇPMB-së.

Ende nuk ka asnjë reagim të politikës në Luginë të Preshevës. Në ora 9:30 ka filluar mbledhje urgjente kryesia e PDSH-së e cila është bartëse e pushtetit lokal në Preshevë. Kjo parti pritet që gjatë mbledhjes të nxjerrë edhe disa vendime se si do të veprojë në të ardhmen.

Ndryshe, Qeveria serbe nuk priti që çështja e Lapidarit të zgjidhet me bisedime. I tërë ky problem ka pasur të përfundojë sot në orën 11:00 ku ka qenë e paralajmëruar se do ta kenë edhe takimin e fundit partitë politike me OVL-në dhe familjet e dëshmorëve, nga i cili është paraparë që të dilet me një vendim të qartë.

Largohet përmendorja e UÇPMB-së

Rreth 100 pjesetarë të xhandarmërisë serbe në një aksion të koordinuar kanë hequr dhunshëm përmendoren e dëshmorëve të UÇPMB-së, të vendosur para godinës së administratës komunale që nga nëntori i vitit të kaluar.

Aksioni ka filluar në orën 4 të mëngjesit, ndërkohë që i tërë qyteti i Preshevës është gjendur në rrethim të hekurt nga pjesëtarët e xhandarmërisë serbe.

Përmendorja është hequr me një eskavator dhe është ngarkuar në një kamion të xhandarmërisë serbe, ndërkohë që nuk dihet destinacioni i stacionimit të tij.

Gazetari i Radio Kosoves, ka qenë në momentet e grumbullimit të xhandarmërisë në vendëngjarje, ndërkohë që këtë aksion e kanë përcjell media të shumta e sidomos ato serbe. Aksioni ende po vazhdon, ndërkohë që sot është paralajmëruar një takim i përfaqësuesve politik dhe institucional, atyre të OVL -së dhe përfaqësuesve të familjarëve të dëshmorëve.

Në sheshin e Preshevës përveç ekipeve të gazetarëve dhe pjesëtarëve të xhandarmërisë dhe makinave të tyre të blinduara, prezent ishin komandanti i xhandarmërisë, Lubisha Dikoviq me bashkëpunëtor, Sllagjan Vellinoviq kryeshef i policisë në Vranjë si dhe Avdi Bajrami shef i stacionit policor në Preshevë me bashkëpunëtorët e tij.

Të vetmit që kanë vëzhguar këtë aksion ishin disa qytetarë nga ballkonet e ndërtesave afër sheshit. Vendi ku deri dje qëndroi e vendosur pllaka përkujtimore e UÇPMB-së tanimë nuk ka asnjë shenjë nga ajo, dhe se i tërë vendi është pastruar./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat