Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar sot se ngjarjet në jug të Serbisë dhe procesi i dialogut me Prishtinën janë dy procese të ndara dh askush nuk i përzien këto dy çështje.
Duke reaguar ndaj qëndrimit të Qeverisë së Kosovës, se heqja e përmendores në Preshevë e sjellë në pikëpyetje procesin e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës, Daçiq ka thënë se ”askush nuk e pyet Qeverinë e Kosovës a do të zhvillohen negociatat”, duke shtuar se “kjo nuk është pjesë e negociatave, jo pse nuk kam dashur, veç që askush nuk ka dashur t’i përziej ato dy çështje”.
Daçiq i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Tanjug se pas skadimit të të gjitha afateve ligjore, me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, pjesëtarët e xhandarmërisë e kanë hequr përmendoren e vendosur jo legalisht në Preshevë.
Daçiq më herët ka deklaruar se askënd nga bashkësia ndërkombëtare nuk e ka pyetur për heqjen e përmendores në Preshevë, duke cekur se kjo është çështje e brendshme e Serbisë dhe çdo gjë është bërë sipas ligjit.
“Mesazhi për bashkësinë ndërkombëtare – nuk lejoj që Serbisë t’i imponohen standardet të cilët nuk vlejnë për vendet e tyre. Nuk e kam pyetur askënd, sepse kjo është çështje tonë e brendshme. Tjetër është çështja sikur ta kishim përdorë dhunën dhe të kishte incidente” ka thënë Daçiq për TV “B92”.
Ai ka rikujtuar se vetëm që ka marrë si qëndrim nga bashkësia ndërkombëtare është se kjo është çështje e brendshme e Serbisë dhe krejt duhet të zgjidhet në harmoni me ligjin, dhe siç ka thënë, ligji është respektuar.
Daçiq ka thënë se me rastin e heqjes së për mendores në Preshevë askush nuk ka dëshiruar t’i përbuzë ndjenjat e shqiptarëve dhe se përmendorja nuk është dëmtuar.
Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Aleksandar Vulin, gjithashtu ka reaguar ndaj deklaratave nga Prishtina me vlerësimin se ajo që mund t’ia rrezikojë seriozisht negociatat në Bruksel dhe ajo që vërtetë po i rrezikon, është dhuna ndaj të cilës Prishtina është shumë e prirë, dhe ka rekomanduar se Serbia nuk do të marrë pjesë në çfarëdo përpjekje të ndërlidhjes së dialogut me jugun e Serbisë.
Respektimi i ligjit me të cilën Serbia vetëm e tregoj dhe e zbatoj, midis njerëzve të civilizuar nuk mundet të shkaktojë çfarëdo hamendje, dyshimi apo të ndërpres çfarëdo qoftë. Por, ata të cilët nuk kanë shtet, evident nuk e kuptojnë çka donë të thotë ligji, prandaj nisur nga kjo konsiderojnë se respektimi i ligjit është dëshmi e ndonjë fare urrejtjeje”, ka cekur Vulin.
Zyrtarët e Kosovës sot kanë vlerësuar se heqja e përmendores mund ta rrezikojë procesin e dialogut me Beogradin./rtk/