Çmimi i bukës vazhdon të mbetet i lartë në Kosovë, edhe pse çmimi i miellit ka rënë. Mullistët e Kosovës ankohen për politikat fiskale duke e arsyetuar çmimin e bukës prej 0.45 euro, ndërkohë që çmimi i grurit në Kosovë është gati 100 euro më i lartë sesa në tregjet ndërkombëtare, kurse buxheti i paraparë për bujqësi për vitin 2013 është vetëm 23.4 milionë euro.
Kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Muhamet Farizi, thotë se Kosova është vendi me tatimin më të madh në rajon, TVSh-ja 16 për qind në Kosovë kurse për bujqësi në Kroaci është 0 për qind, në Serbi 8 dhe në Maqedoni vetëm 5 për qind.
Kjo mungesë e financimit të bujqësisë nga Qeveria e Kosovës shkakton shumë dëme në bujqësinë kosovare.
“Në Kosovë një ton e grurit është afro 330 euro kurse në tregjet ndërkombëtare një ton është vetëm 250 euro. Për të ndihmuar bujqësinë vendore, Ministria e Bujqësisë jep 100 euro subvencion për një hektar tokë”, ka thënë Farizi, duke shtuar se kjo nuk është absolutisht e mjaftueshme kur konkurrenca direkte, ne këtë rast Kroacia ka 300 euro subvencion për një hektarë dhe 0 për qind TVSH.
Farizi thotë se “shpesh herë kur importohet, çmimi i grurit vendor barazohet me çmimin e miellit të importuar për shkak të dallavereve të tregtarëve që importojnë miell”.
Konkurenca rajonale dhe mossubvencimi i bujqësisë nga qeveria bën që vit për vit të zvogëlohet numri i tokave të miellit. “Ne jemi vend ku jemi të ngarkuar me tatime më të larta kurse subvencionet janë më të ulëtat në rajon”.
Kryetari i shoqatës së furrtarëve, Halit Xoxa, thotë se “nuk ka motivacion dhe mbështetje që t’i japë vullnet bujqësisë për të mbjellë sa më shumë grurë. Politika e lartë tatimore e qeverisë ka mbyllur më shumë se 35 mullinj këto vitet e fundit në Kosovë”, thotë Xoxa.
Ai shtoi se subvencioni që marrin nga qeveria është tepër i pamjaftueshëm, po gjithashtu Xoxa i bën thirrje qeverisë që të ketë një vizion afatgjatë për politikën bujqësore. Ai dërgon një lutje qeverisë që të zbresë nivelin e TVSh-së dhe të rritë subvencionet për të ndihmuar bujqësinë kosovare.
Ai kritikon edhe mungesën e kontrolleve sanitare dhe kualitative të Ministrisë së Bujqësisë. Këto mungesa shkaktojnë edhe dallavere në shumë furra të Kosovës. Kryetar i shoqatës së furrtarëve, thotë: “Mungesa e inspeksionit sanitar dhe kualitativ ua liron udhën disa tregtarëve të pamoralshëm që të zbresin çmimet e një buke, por ata e zbresin edhe gramët e një buke dhe ajo vazhdon të shitet si një bukë me 500 gramë, kurse i ka vetëm 350 gramë”.
Po ashtu ai tregon se në disa furra kosovare përdoren aditivët me përqindje shumë të lartë, për mbi 5 për qind dhe se kjo jo që vetëm e zmadhon bukën për t’u dukur më e rëndë, por edhe është shumë e dëmshme./zeri/