Strategjia dhe Plani Veprimit kundër korrupsionit për periudhën 2013-2017, ka nxitur një debat të ashpër në seancën e Kuvendit të Kosovës. Përderisa pozita është munduar të mbroj këtë strategji duke kërkuar që të votohet për shkak të integrimeve evropiane, opozita e ka quajtur të dëmshme dhe që nuk e lufton korrupsionin.
Por gjatë debati për këtë strategji ka folur edhe kryekuvendari, Jakup Krasniqi i cili nuk ka la pa kritikuar ekzekutivin e vendit për zhytje në korrupsion.
“Korrupsioni është i shtrirë në të gjitha institucionet. Ai nuk është i shtirë veç në mënyrë vertikale, por edhe horizontale. Ne kemi ligjet, kushtetutën, kodet penale, por nëse këto institucione nuk kanë vullnet për luftë ndaj korrupsionit, as strategjia nuk duhet gjë”, ka theksuar Krasniqi.
Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, ka thënë se në Kosovë është prezent korrupsioni institucional dhe korrupsioni politik.
“Ky është dominanti i diskursit, korrupsion i të folurit është mënyra kur thuhet, secili prej nesh e dinë kush është fajtor, prandaj nuk e them. Do ta bëjë këtë, sepse do ta ndreqim imazhin nga jashtë”, ka theksuar ai.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se janë dy botëkuptime sa i përket luftës së korrupsionit. “Privatizimi është korrupsion dhe nuk mund të flasim për praktika të mira derisa privatizimi është ilegal. Si mund të flasim për praktika të mira për privatizimin e këto praktika të mira zbatohen duke mos pasur ligj për privatizimin”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti ka replikuar, duke thënë se dokumenti është punuar nga disa institucione dhe nuk është dokument as kushtetues e as ligj penal.
“Eshtë dokument që është marr si model nga vendet më të avancuar në luftimin e korrupsionit. Eshtë një proces i kopjuar i ndikuar nga shumë vende që bëjnë aktivitete në fushën e integrimeve evropiane dhe është adaptuar nevojave të Kosovës. Eshtë koha të marrim veprime konkrete”, ka theksuar Pajaziti.
Pas shterrjes së debatit, Komisioni Funksional në bashkëpunim me Grupin Parlamentar të PDK-së kanë vendosur që votimin të shtynë për seancën e ardhshme, ku pritet të bëhen edhe disa ndryshime./RTK/