Qytetarët serbë kanë përfunduar pa incidente protestën e zhvilluar për të kundërshtuar marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve. Policia e Kosovës kishte përcjellë nga afër rrjedhën e protestës, por ka njoftuar se përveç vështirësimit të qarkullimit të komunikacionit, nuk ka pasur probleme të tjera.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti ka deklaruar për Telegrafin se protesta ka përfunduar rreth orës 14:00.
“Sipas përfaqësuesve të protestuesve ka pasur rreth 4 mijë veta në këtë protestë. Të gjitha njësitet e policisë që kanë qenë të angazhuar, tashmë janë kthyer”, ka thënë Hoti.
Protesta është zhvilluar në lokacionin e njohur si Sheshi ‘Shumadia’ dhe në rrugën e Mbretit Petar, në pjesën veriore të Mitrovicës.
Krerët ilegalë të katër komunave veriore kanë thënë vazhdimisht se nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë marrëveshje që e definojnë Kosovën si shtet të pavarur.
Pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes së IBM-së, qytetarë serbë herë pas here kanë bllokuar rrugët duke penguar doganierët shqiptarë për të shkuar në rrugë tokësore në pikat doganore në Jarinë dhe Bërnjakë. /Telegrafi/