Subjektet politike shqiptare, Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut sot organizojnë protestë në sheshin e Bujanocit
“Bashkë kundër memorialit të Xhandarmerisë serbe në Lluçan, bashkë që të heqim simbolin i cili cenon integritetin dhe dinjitetin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, do të jetë motoja e kësaj proteste.
Në njoftimin e këshillit organizativ thuhet se “Serbia goditi shqiptarët më 20 janar me heqjen e lapidarit të dëshmorëve në Preshevë dhe se ajo po vazhdon të na godas me memorialin e xhandarmerisë në Lluçan”, transmeton Titulli.
Në protestën e sotme që fillon në orën 13h nuk do të marr pjesë Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së. Sipas drejtuesi të OVL-së në Bujanoc Edmond Isufi, vendimi për të mos qenë pjesë e kësaj proteste është marrë për shkak të mos unitetit të faktorit politik shqiptarë.
“Derisa liderët shqiptarë të jenë të përçarë dhe nuk janë të bashkuar dhe Bujanoci nuk udhëhiqet nga shumica shqiptare që janë në Kuvend, ne kemi marrë vendim që të mos jemi pjesë e organizimit të kësaj proteste”, ka thënë me këtë rast Isufi.
Ai nuk ka mohuar pjesëmarrjen individuale në protestë, mirëpo ka nënvizuar se si OVL nuk do të jenë pjesë e protestës./Titulli.com/