Partitë Politike në vend, PDK, AAK e LDK-ja kanë dhenë shenja për zhbllokimin e reformës zgjedhore.
Liderët e Partive Politike janë marr vesh për ndarjen e zonave zgjedhore. Kosova ashtu edhe siç është aktualisht do ta ketë vetëm një zonë zgjedhore.
Kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli pas takimit kanë deklaruar që nuk do të ketë zgjedhje deri sa të mos përfundoj reforma zgjedhore.
“Zhvilluam takim të suksesshëm për reformën elektorale për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme. Ishte një takim i përbashkët se procesi duhet të përshpejtohet. Në mënyrë që t'i kryen punët e veta komisioni përkatës, Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese. Ajo që mund të them sot është se nga të gjithë ne është një pajtim që të shkohet më një zonë elektorale në zgjedhjet e ardhshme. Ka mbetur të diskutohet çështja e listave të hapura apo të mbyllura, kalimi i pragut zgjedhor dhe ulëset e rezervuara për komunitete”, tha lideri i PDK-së, Hashim Thaçi.
Thaçi ka shtuar se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen pas vitit të gjashtë të pavarësisë së Kosovës, që i bije vitin e ardhshëm, duke respektuar kalendarin zgjedhor.
Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa tha se janë përafruar qëndrimet mes partive, sa i përket reformës zgjedhore. Ai tha se kanë mbetur të diskutohen edhe disa çështje tjera, që sipas tij lidhen me disa dobësi tjera të vërejtura nga LDK-ja.
“Do ta shqyrtojmë atë nëse anëtarët të qeverisë duhet apo s’duhet të jenë deputet dhe çështjen e pragut zgjedhor. Ndërkohë LDK kërkon që në zgjedhjet e ardhshme të këtë edhe vëzhgues ndërkombëtar”, tha Mustafa.
Lideri i LDK-së nuk ka dashur të përgjigjet nëse është diskutuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ai tha se LDK-ja është për zgjedhje të rregullta, dhe se vendit i duhen zgjedhje normale.
Edhe, sipas liderit të AKR-së, Behxhet Pacolli, reformat duhet të shkojnë përpara, dhe se në zgjedhjet e ardhshme Kosova do të këtë ligjin e ri për zgjedhjet. “Reformat do të shkojnë përpara, dhe kjo do të ndodhë, si dhe në ç’fare mënyrë kjo mbetet të shihet”, tha Pacilli. /Indeksonline/
