Nuk është vetëm rruga ajo në të cilën Lëvizja Bashkohu do të tentojë t’i realizojë kërkesat e veta.
Organizata joqeveritare, e njohur më tepër për protesta proislame, tashme ka mësyrë politikën, me pretendimin për të qenë edhe pjesë e kuvendit të Kosovës. Kjo pasi të mërkurën, edhe zyrtarisht bëri kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u regjistruar si parti, transmeton Klan Kosova.
Në kopjet që siguroi Klan Kosova shihet se kërkesa për regjistrim në KQZ u bë me emrin “Lëvizja Islame Bashkohu”. Akronimi i saj është LISBA.Fuad Ramiqi, që është parë si lider i lëvizjes, nuk do të jetë kryetar i saj tash si parti, të paktën në letra. Ai që mori këtë përgjegjësi është kolegu i tij Arsim Krasniqi.As i pari e as i dyti nuk deshën të flasin pse vendosën t’i hyjnë politikës.
Lëvizja Bashkohu u bë e njohur për organizimin e protestave masive gjatë verës së 2011, që kishin synim ndertimin e një xhamie të madhe në Prishtinë, futjen e edukatës fetare në shkolla dhe mos përjashtimin nga mësimi të vajzave me mbulesa.