U protestua para KEK-ut, kundërshtohen faturat e fundit

Qindra qytetarë protestuan sot para ndërtesës së Korporatës Energjetike të Kosovës, të revoltuar nga faturat të cilat këto ditë u kanë ardhur nga KEK-u, e që janë dy apo tre fish më të larta se muajve paraprak. Ata tentuan të hyjnë brenda ndërtesës së KEK-ut, por nuk u lejuan nga policia. Ndërkohë, protesta do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, deri sa të realizohen kërkesat e qytetarëve për rishikimin e të gjitha faturave.

Qytetarë të shumtë shprehën pakënaqësitë e tyre për faturat e fryra të KEK-ut. Të revoltuar në protestën e sotme ata tentuan që të hyjnë brenda ndërtesës së Korporatës Energjetike të Kosovës, por nuk u lejuan nga Policia.

Ndërkohë, tre prej tyre hynë brenda për të biseduar me zyrtarë të KEK-ut nga të cilët kërkuan që të dalin jashtë dhe të ballafaqohen me qytetarët. Por asnjë zyrtar nuk ka pranuar të dalë jashtë.

Milot Hasimja njëri nga organizatorët, tha se protesta do të vazhdojë deri në realzimin e kërkesave të tyre, për rishikimin e të gjitha faturave.

“Përfaqësuesit e KEK-ut nuk kanë dëshiruar me tregu para qytetarëve të cilët kanë protestuar. Protestat do të vazhdojnë edh nesër edhe pasnesër deri sa të realizohen të gjithë kërkesat, të cilat janë që të rishikohen të gjitha faturat”, tha ai.

Qytetarët kundërshtuan këto çmime të cilat siç thonë janë të papërballueshme, për shkak se në këtë muaj janë shumëfish më të larta se muajin paraprak.

“3 mijë e 500 euro invalidit të luftës ia kanë faturu. E kam bërë kërkesën më kane thënë me shku në gjyq dhe gjyqi me ka thënë që nuk merret me këtë punë, se KEK-u është duke bërë dallavere”, theksoi një protestues.

Ndërkohë, pasi u shpërndanë protestuesit, zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala tha për media se grupi përgjegjës për faturim ka qenë në gatishmëri për të biseduar me qytetarë por nuk kanë mundur të dalin për të provokuar situatën.

“I lusim protestuesit që të caktojnë një delegacion dhe do t’i presim kurdo që ata dëshirojnë. Ka ndodhur periudha e leximit të faturave që ka qenë më e lartë në muajin janar se sa në dhjetor, bëhet fjale për dy ditë dallim në muajin janar që ka pasur 31 ditë, ndërsa periudha e faturimit ka qenë për 33 ditë”, tha ai.

Protesta do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme deri sa të plotësohen kërkesat e qytetarëve. Kjo protestë është paralajmëruar përmes rrjetit social Facebook./RTK/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat