Siri, luftime të ashpra për kontrollin e Damaskut

Në Siri nga njëra anë rriten pritshmëritë për negociata ndërmjet opozitës dhe regjimit të Esadit, kurse nga ana tjetër kryeqyteti i vendit, Damasku, është përfshirë nga përleshjet më të ashpra të dy viteve të fundit.

Burimet opozitare njoftojnë se përleshet në kryeqyteti janë përqendruar në lagjet Xhobar, Aseli, Mudamije, Deraja, Haresta, Haxher Esved dhe Guta Lindore.

Xhamia Harmalla Bin Velid në lagjen Xhobar të Damaskut, ku vazhdojnë edhe përleshjet më të ashpra, është goditur nga një predhë topi. Predha ka shkaktuar dëme të rënda dhe zjarr në xhami.

Mësohet se Ushtria për Sirinë e Lirë ka ndërprerë në masë të madhe lidhjen ndërmjet qendrës së Damaskut dhe lagjeve në jug të qytetit. Të dyja palët vazhdojnë luftimet me gjithë forcën për të vendosur kontrollin në rrugën kryesore të zonës.

Mes lajmeve që vijnë nga terreni bëjnë pjesë edhe ato që thonë se ushtria e varur nga Esadi ka organizuar nga Mali Kasjum sulme të fuqishme me raketa kundër pozicioneve të opozitarëve.

Bëhet e ditur se opozitarët kanë rrethuar edhe aeroportin Kuvejris në Haleb.

Nga ana tjetër thirrja për bisedime që lideri i Këshillit Kombëtar Sirian, Muaz el-Hatin i ka bërë regjimit të Esadit nuk ka marrë ende një përgjigje nga Damasku zyrtar.

El Hatib më parë kishte deklaruar se opozita siriane është e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve me udhëheqës të regjimit të Esadit që nuk i kanë lyer duart me gjak dhe se mund ti njihnin Esadit të drejtën të largohet nga vendi pa dalë në gjyq.

Por Damasku zyrtar vazhdon të heshtë përballë kësaj thirrjeje, që ka gjetur mbështetje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OKB dhe Ligën Arabe.

Muaz el-Hatib deklaroi së fundit se do ta tërheqë propozimin për negociata në qoftë se nuk lirohen deri të dielën të gjitha të burgosurat femra që mbahen nëpër burgjet e Esadit.

Propozimin për negociata regjimi i Esadit është duke e vlerësuar me mbështetësit e tij, Rusinë, Iranin dhe Republikën Popullore të Kinës.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Sirisë, Fajsal Mikdad shkoi në Republikën Popullore të Kinës për të vlerësuar zhvillimet e fundit.

Mësohet se Ministri i Punëve të Jashtme të Kinës, Yang Yieçi e ka këshilluar Fajsal Mikdadin të hedhin hapa realistë për menaxhimin e procesit të tranzicionit sipas rekomandimeve të Përfaqësuesit Special të OKB-së për Sirinë, El Ahdar el-Ibrahimi. /trt/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat