Projekti i rrugës kryesore të qytetit të Vushtrrisë, i cili ka koston prej rreth 4 milionë euro dhe ka filluar të zbatohet vitin që shkoi, nuk po mund të realizohet sipas projektit të paraparë, për shkak të një pengese nga një kënd i oborrit të kishës së Vushtrrisë, i cili pengon edhe lëvizjen e këmbësorëve nëpër trotuar.
Zëdhënësi i Komunës së Vushtrrisë, Bahri Bivolaku, tha se Komuna kishte arritur një marrëveshje me zyrtarët e kishës, por ajo akoma nuk është konkretizuar.
“Me 3 gusht të vitit të kaluar, Komuna e Vushtrrisë ka arritur e më pas edhe e ka përgatitur një marrëveshje të mirëkuptimit me Vlladika Teodosije, pronar i pronës në kishën e qytetit të Vushtrrisë. Qëllimi i lidhjes së kësaj marrëveshjeje është pëlqimi i palëve për hyrjen në posedim dhe kalimin e të drejtës pronësore në emër të Komunës së Vushtrrisë të pjesës së ngastrës kadastrale nr.P.70202016-0048-0, në sipërfaqe prej 30 metra katrorë. Arsyeja e nënshkrimit të këtij memorandumi është realizimi i projektit të investimit kapital në shtruarjen e trotuarit dhe rregullimin e rrugës kryesore të qytetit, ku po pengon një kënd i oborrit të Kishës së qytetit. Në bazë të kësaj marrëveshjeje Komuna e Vushtrrisë merr përsipër që me mjetet e veta buxhetore ta rindërtojë murin rrethues të oborrit të kishës në gjatësi të nevojshme”, thotë Bivolaku.
Sipas zëdhënësit Bivolaku, ndonëse në takimin me kryetarin e komunës, Bajram Mulaku, Vlladika Teodosije kishte premtuar se marrëveshja do të nënshkruhej shumë shpejt dhe se kisha nuk do të pengojë punimet në rregullimin e infrastrukturës rrugore, ndërkaq kanë kaluar 6 muaj, marrëveshja nuk është nënshkruar.
“Akoma nuk ka asgjë në këtë drejtim, ndërsa muri i oborrit të kishës ndan trotuarin në dy pjesë, duke penguar kështu lëvizjen e lirë të këmbësorëve”, thotë Bivolaku.
Ndërkaq, nënkryetari i Këshillit të fshatit Prelluzhë, Mirko Popoviq i cili kishte shoqëruar Vlladiken Teodosijen gjatë një viti në kishën e qytetit në Vushtrri, pohon se për këtë çështje ka mbetur të vendosë struktura më e lartë e hierarkisë së Kishës Ortodokse Serbe në Beograd.
“Ka pasur një marrëveshje, por ajo do të nënshkruhet pasi që më përpara të vendosë struktura e hierarkisë së KOS në Beograd. Do të shqyrtohet kjo marrëveshje dhe nëse nuk prek në interesa të kishes, atëherë do të nënshkruhet”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Millan Kostiq, kryetar i Komitetit për Komunitete, tha se do të angazhohet që kjo punë të marrë fund. “Unë do të angazhohem që kjo punë të marrë fund sa më shpejt, që marrëveshja e arritur mes kishes dhe Komunës së Vushtrrisë të nënshkruhet, në mënyrë që projekti kapital për qytetarët e Vushtrrisë të realilzohet”, tha Kostiq.
Marrëveshja e mirëkuptimit e arritur në mes të Komunës së Vushtrrisë dhe Vlladika Teodosije, është nënshkruar nga kryetari Bajram Mulaku, por jo edhe nga Teodosije./zeri/