Kosova ka marrë edhe një njohje në pesë vjetorin e pavarësisë së saj. Egjipti sot ka dërguar ndihmëspresidenten e vendit për t’i sjell njohjen e shtetit të Kosovës. Ky është vendi i 99 brenda këtyre viteve që njeh shtetin më të ri evropian. Egjipti është një nga shtetet më të mëdha arabe që njeh shtetin e Kosovës.
Ndihmëspresidentja egjiptiane Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy ka ardhur sot në Kosovë enkas për të zyrtarizuar njohjen e Egjiptit për shtetin kosovar.
Ajo në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e vendit ka thënë se të dyja vendet ndajnë vlera dhe synime të njëjta, njofton RTK.
“Jam e nderuar dhe jam këtu që të shpallë njoftimin se Egjipti po e njeh Kosovën. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të dyja vendet dhe do të na ndihmojë bashkëpunimi në shumë fusha, pasi kemi një të kaluar të përbashkët si në aspektin kulturor ashtu edhe në atë historik”, tha zëvendëspresidentja e Egjiptit.
Ndërsa, kryeministri i vendit Hashim Thaçi tha se njohja e Egjiptit është edhe një tregues i virtyteve dhe angazhimeve të përbashkëta që ndajnë të dy popujt.
“Dëshiroj të falënderoj ndihmëspresidenten e shtetit të Egjiptit që na ka nderuar sot në pesëvjetorin e pavarësisë. Mund të them lirisht se nga sot nis një kapitull iri në marrëdhëniet tona si shtete”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se shteti i Kosovës po konsolidohet, po fuqizohet dhe respektohet çdo ditë e më tepër.
Egjipti është një nga shtetet më të mëdha arabe që njeh shtetin e Kosovës, pesë vjet pasi vendi shpalli pavarësinë.