Familja e komandantit legjendar Adem Jashari ndihen të anashkaluar me rastin e pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës nga presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Anashkalimi i parë që iu bë familjes Jashari ishte ai në ceremoninë e ditës së parë të shënimit të pesëvjetorit të pavarësisë. Kryeministri Hashim Thaçi me apo pa dashje “harroi” të përshëndesë Rifat Jasharin në manifestimin që u mbajt në fakultetin Filologjik, edhe pse ai ishte ulur në rreshtin e parë, krah për krah me përfaqësues të lartë vendorë e ndërkombëtarë.
E për më tepër ky injorim i përfaqësuesve të institucioneve ndaj familjes Jashari vazhduan edhe në ditët në vijim. Rifat Jashari nuk u përshëndet as në dy manifestimet qendrore më 17 shkurt, në “Paradën e Pavarësisë” dhe as në seancën solemne.
I gjithë ky “marifet” i përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, për përfaqësuesin e familjes Jashari, Murat Jasharin, si duket ka pasur një qëllim të vetëm, anashkalimin e tyre nga ky përvjetor i pavarësisë.
Ai madje shpreh habinë se si programi për manifestimin e pesëvjetorit të pavarësisë ka ndryshuar në momentin e fundit, meqë sipas tij, sipas paralajmërimeve delegacionet zyrtarë homazhet është dashur t’i bëjnë më 17 shkurt duke filluar nga ora 9:00.
“Zyrtarët e lartë shtetëror kanë ardhur në Prekaz më 16 shkurt dhe ne nuk kemi qenë të informuar. E kam thënë disa herë, se sipas një Protokolli që është në Prekaz, dhe këtë e ka edhe Protokolli i shtetit, delegacionet që vijnë duhet të paralajmërohen, qoftë përmes Protokollit të shtetit, apo edhe direkt në familje, që pastaj ne të bëjmë përgatitjet edhe të jemi në pritje të tyre. Zyrtarët që kanë qenë më 16 shkurt tek varrezat ne i kemi parë vetëm përmes medieve dhe nuk mund të komentoj, sepse nuk i di as arsyet pse ata kanë bërë vizitën një ditë më herët”, tha në një deklaratë për gazetën “Bota sot”, Murat Jashari.