Lëvizja Bashkohu kundër Avokatit të Popullit

Një deklaratë e Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi, se regjistrimi i Lëvizjes “Bashkohu” si parti, është kundërligjor, është bërë shkas që drejtuesit e kësaj të fundit të kërkojnë largimin e tij nga pozita që mban aktualisht.

Një nga aktivistët e kësaj lëvizjeje, Fuad Ramiqi, ka thënë se Kurteshi nuk ka reaguar asnjëherë kur kanë bëhej fjalë për largimin e vajzave nga shkollat të cilat mbanin shami, shkruan “Tribuna”.

“Ai (Kurteshi v.j) duhet të japë dorëheqje, sepse ne e dimë që ai më herët kurrë nuk është prononcuar në aspektin zyrtar për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në veçanti të myslimanëve. Fjalën e kam për këto për vajzat të cilat janë të përjashtuara nga shkolla, të cilave i është mohuar e drejta për arsimim, e lëre më për bartjen e shamisë. Ai si Avokat i Popullit, i pari do të duhej ta mbronte këtë qëndrim”, ka thënë Ramiqi.

Gazeta “Tribuna” është përpjekur të marr një qëndrim nga avokati Kurteshi, por ai nuk ka shprehur interesim të flasë për këtë çështje.

Mirëpo, në një prononcim të mëhershëm për Gazetën JNK, ai ka thënë se institucionet nuk duhet ta regjistrojnë si subjekt politik lëvizjen “Bashkohu” pa përfunduar hetimet rreth ngjarjes së muajit dhjetor.

Kjo lëvizje, sipas Kurteshtit, nëpërmjet deklarimit të përfaqësuesve të vet, ka pranuar publikisht sulmin fizik ndaj organizatorëve të promovimit të revistës “Kosovo 2.0”.

“Nëse kjo lëvizje regjistrohet si parti politike nga organet kompetente pa sqarimin dhe verifikimin e të gjitha rrethanave, dëshmive dhe fakteve në lidhje me ngjarjet e muajit dhjetor 2012 me rastin e promovimit të cekur më lart, do të ishte një veprim kundërkushtetues dhe kundërligjor”, ka thënë Kurteshi.

Avokati i Popullit i ka përshkruar aktivitetet e kësaj lëvizjeje si jodemokratike. Sipas tij, grupet e tilla janë kundërkushtetuese. Të gjitha këto deklarata, sipas Ramiqit, e bëjnë Kurteshin të pakualifikuar për pozitën e Avokatit të Popullit.

“Deklarata e Kurteshit është pozicion paragjykues, të cilin e vendos jashtë kornizave dhe përgjegjësive si Avokat i Popullit, i cili është i thirrur t\'i mbrojë të drejtat fundamentale të njeriut. Kjo dëshmon edhe njëherë se ai është i pakualifikuar dhe nuk mund ta udhëheqë një institucion si Avokat i Popullit”, ka thënë Ramiqi.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat