Edhe pse komuna e Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut, si dhe pjesa veriore e Mitrovicës, nuk ishin pjesë e Regjistrimit të popullsisë i cili u bë në vitin 2011, në një raport të Agjensisë së Statistikave të Kosovës ipen të dhënat e fundit zyrtare, të vlerësuara për numrin e popullsisë së Kosovës në nivel të komunave për vitin 2011. Për komunat që nuk ishin pjesë e Regjistrimit të Popullsisë (2011), ASK-ja ka bërë vlerësimin e numrit të popullsisë, bazuar në burimet e ndryshme. Për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, si dhe në pjesën veriore të Mitrovicës, si bazë kryesore për vlerësim është marrë ”Azhurnimi 2008-2009”.
Sipas të dhënave të fundit të muajit shtator 2012 nga UNHCR, numri i personave nga komuniteti shqiptar, që janë zhvendosur kryesisht në Mitrovicën e Jugut, me origjinë nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut ishte gjithsej 7 260 persona të zhvendosur. Po ashtu, një pjesë e komunitetit serb, të zhvendosur, me origjinë nga vendbanimet/komunat e tjera të Kosovës u vendos në këto komuna: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, duke përfshirë edhe pjesën veriore të Mitrovicës, që ishin rreth 6 950 persona të zhvendosur. /Kosovapress/