Dhjetëra automjete me simpatizantë të Partisë Radikale serbe (SRS) të Sheshelit, kanë shqetësuar banorët shqiptarë dhe ata jo serbë në veri të Mitrovicës, duke defiluar të shtunën paradite nëpër lagjet e banuara me popullatë të përzier, por edhe në pjesë tjera të qytetit.
Ata kanë provokuar qytetarët e rastit me këngë çetnike dhe sirenat e automjeteve të tyre, ndërsa kanë bartur flamuj partiakë, simbole çetnike, si dhe fotografi të liderit të tyre, njofton Kosovapress.
Në veri të Mitrovicës shihen pothuajse në çdo kënd pllakata me fotografi të këtij krimineli. “10 vite të tiranisë së Hagës dhe shkatërrimit të Serbisë” shkruan në këto pllakata në alfabetin cirilik, duke ftuar serbët e veriut të marrin pjesë në numër sa më të madh në protestën e nesërme që do të mbahet në Beograd me rastin e 10 vjetorit të arrestimit të tij.
Disa banorë shqiptarë të zonës së ‘Tre rrokaqiejve’ kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve Kosovapress, se janë të shqetësuar nga parakalim i çetnikëve në lagjen e tyre, duke kërkuar shtim të organeve të sigurisë në këtë zonë.
Në anën tjetër, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë, Behxhet Bala, ka thënë për Kosovapress se përkundër prezencës së shtuar të strukturave të sigurisë në veri të qytetit, në veçanti në pjesët e dominuara me shqiptarë, këto struktura duhet të jenë të vëmendshme për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm. Ai ka vlerësuar qëndrimin e qytetarëve të veriut të cilët po tregojnë nivel të lartë të përgjegjësisë.